Shtetet e Bashkuara vendosën të premten sanksione ndaj më shumë se 400 firmave dhe individëve për shkak të mbështetjes së tyre për luftën e Rusisë në Ukrainë, tha Departamenti i Shtetit. Në mesin e të sanksionuarve ka edhe firma kineze, të cilat SHBA-ja beson se po e ndihmojnë Moskën t’i shmangë sanksionet e Perëndimit dhe ta përforcojë ushtrinë.
Sanksionet përfshijnë masa kundër kompanive në Kinë, të cilat janë të përfshira në dërgimin e mjeteve të makinerisë dhe të mikroelektronikës në Rusi, sipas DASH-it. Departamenti amerikan i Thesarit tha se ka vendosur sanksioneve edhe ndaj rrjeteve transnacionale, të përfshira në shitjen e municionit dhe materialeve të tjera për Rusinë, dhe në mbështetjen e oligarkëve rusë dhe të tjerëve në shmangien e sanksioneve.
“Rusia e ka shndërruar ekonominë e vet në mjet shërbyes për industrinë ushtarake të Kremlinit”, tha sekretari i Thesarit amerikan, Wally Adeyemo. “Kompanitë, institucionet financiare dhe qeveritë në gjithë botën duhet të sigurohen se nuk janë duke i mbështetur zinxhirët e furnizimit të industrisë së ushtrisë ruse”, tha ai.
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e falënderoi SHBA-në për “sanksionet e fuqishme shtesë”. Ai shkroi në rrjetin social X se sanksionet do ta dobësojnë edhe më shumë aftësinë e Rusisë “për të kryer luftë agresive kundër Ukrainës”
Pasi e okupoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022. Prej atëherë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të vazhdueshme ekonomike ndaj Moskës./Rel/