Gjykata Durrësit, vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Aleks Markun, i arrestuar ditën e mërkurë nga forcat RENEA, pasi për disa orë mbajti peng dy fëmijët e tij të mitur dhe terrorizoi banorët e zonë së plazhit në afërsi të Shkëmbit të Kavajës në Durrës duke qëlluar herë pas here me kallashnikov.
Ndaj 40-vjeçarit rëndojnë 3 akuza, ajo e armëmbajtjes pa leje, shkatërrimit të pronës dhe kundërshtimit të forcave të policisë. Kujtojmë se Marku nga Lezha është vetëdorëzuar pas rreth 5 orësh negociata me efektivët e repartit RENEA.
Mësohet se policia ka marrë njoftimin rreth orës 02:20 se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri brenda apartamentit të lëshuar me qira, por lirimi dhe dorëzimi i fëmijëve është bërë i mundur vetëm në orën 07:00 të mëngjesit.
40-vjeçari mbajti peng për disa orë fëmijët e tij brenda një apartamenti të marrë me qira pranë zonës së Shkëmbit të Kavajës në Durrës.
Raportohet se fëmijët e mitur të moshës 6 dhe 11 vjeç qanin në banesë duke i kërkuar të atit të vetëdorëzohej teksa RENEA negocionte me 40-vjeçarin nga Lezha. Aleks Marku mësohet se ka qëlluar mbi 15 herë nga dritarja me kallashnikov.
/a.r