Deputeti demokrat, Ervin Salianji, nuk i konsideron negociata bisedimet e bëra me mazhorancën, por sipas tij, socialistët kanë bërë hapa pas.
Në një intervistë për emisionin “Top Talk”, Salianji u shpreh se bisedimet e pak ditëve më parë ishin zhvillime brenda Parlamentit, ku vazhdimisht ka takime.
“Unë do t’i quaja zhvillime brenda parlamentare. Nuk ka negociata në kuptimin e mirëfilltë. Pra, negociatat janë publike, janë me palë të mandatuara, ndërkohë që ky zhvillim i ri është diskutim brenda parlamentar, që ndodh përherë brenda institucioneve të Kuvendit. Kuvendi është një institucion me disa institucione brenda, sikurse janë grupet parlamentare, konferencat apo komisionet. Jemi në diskutimin apo në rrafshin e diskutimeve për të fituar të drejtat që na i garanton Kushtetuta dhe rregullorja”.
I pyetur nëse bisedim brenda parlamentit quhet takimi që u bë mes Gazment Bardhit, Lindita Nikollës, Dashamir Shehit e Mesila Dodës, Salianji u përgjigj:
“Këtu dua të sqaroj, që këto janë takime dhe diskutime permanente, këtë herë kanë marrë vëmendje publike, por nuk është se nuk ka diskutime të këtyre përmasave në mënyrë të përjavshme në parlament. Unë shoh një tërheqje të mazhorancës, për shkak të fuqisë që ka prodhuar edhe bashkimi i opozitës, por edhe për shkak drejtësisë të kauzës dhe qëndresës së opozitës, ka bërë që mazhoranca të ecë hapa pas. Nuk kemi lëvizur nga qëndrimet tona, ne kërkojmë atë që na garanton Kushtetuta. Kërkojmë komisione hetimeve dhe përfaqësim të drejtë, asgjë më shumë se sa na kanë ngarkuar qytetarët”./m.j