Masakra me 4 viktima, gazetarja: Drejtori i Policisë në Shkodër dha dorëheqjen 2 ditë para

Komisariati i policisë së Shkodrës vazhdon të përballet me pasojat e atentatit të 30 tetorit në qytet, ku katër persona mbetën të vdekur.

Duke folur për emisionin “Jetë shqiptare” në RTSH, gazetarja Emi Kalaja zbuloi se kreu i Policisë lokale, Edmond Sulaj, dorëzoi dorëheqjen para se ngjarja të ndodhte.

Drejtori i Policisë së Shkodrës e dorëzoi dorëheqjen dy ditë përpara dhe nuk ka rikandiduar në asnjë pozicion, ndonëse ka moshën dhe staturën. Ai ka qenë oficer policie me pozicione të rëndësishme,” tregoi gazetarja.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar në Prokurorinë e Shkodrës edhe efektivët e policisë lokale për “shpërdorim detyre” në lidhje me masakrën në Dobraç. Dyshohet se personi i njohur si Ibrahim Lici, vëllai i viktimës Hamza Lici, ishte po ashtu në makinën e shënjestruar nga atentatorët.

Sipas avokatit Altin Kaziaj, do të ishte e rëndë po të vërtetohet se efektivet e lejuan atë të largohet nga vendngjarja.

Drejtori i Policisë së një qarku është zyrtar shumë i lartë i Policisë, i cili ka në varësi të vet të gjithë specialistët e antikrimit, që duhet ta kishin zbuluar dhe parandaluar ngjarjen. Ne po numërojmë vetëm viktimat në këtë rast. Janë dy pjesë: pala që ka qëlluar dhe pala viktimë. Ndërkohë që sipas meje Policia e Shtetit duhet të jetë pjesa e tretë me veprime hetimore proaktive dhe me veprime shumë të shpejta,” tha z. Kaziaj në “Jetë shqiptare”.

Prokuroria e Shkodrës ka njoftuar se çështja do të shkojë në SPAK, pasi institucioni lokal nuk ka kompetencën për ta hetuar një ngjarje ku dyshohet se përfshihet një grup i strukturuar kriminal.

Viktima të pafajshme të atentatit të 30 tetorit mbetën edhe një çift bashkëshortësh që udhëtonin me motoçikletë dhe u përplasën fatalisht nga automjeti i Licit, pasi ai doli jashtë kontrollit.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com