Masakra e radhës në Gaza, Izraeli vret 90 palestinezë në një shkollë: Ishte strehë e Hamas…

Të paktën 90 palestinezë janë vrarë në një sulm izraelit në një shkollë në Gaza. Kjo është bërë e ditur nga Agjencia e Mbrojtjes Civile e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, sipas të cilës shkolla Al-Tabi’in strehonte palestinezë të zhvendosur në lagjen Al-Daraj në pjesën lindore të qytetit të Gazës, kur ajo u godit gjatë natës së të shtunës.

“Ne gjetëm të paktën 90 njerëz që ishin vrarë,” tha zëdhënësi Mahmoud Basal për CNN, duke shtuar se “shumë prej tyre janë copëtuar dhe shumë janë ende të paidentifikuar”.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit konfirmuan se goditën shkollën, me argumentin se atje strehoheshin terroristët e Hamasit , të cilët kishin planifikuar sulme të shumta kundër ushtrisë izraelite dhe shtetit të Izraelit.

“Qendra e kontrollit dhe komandës u përdor si një strehë për terroristët dhe komandantët e Hamasit. Nga atje ishin planifikuar sulme të shumta kundër ushtrisë izraelite dhe shtetit të Izraelit”, thekson IDF.

Ushtria tha gjithashtu se para sulmit ajror, “u morën hapa të shumtë për të zbutur rrezikun e dëmtimit të civilëve, duke përfshirë përdorimin e municioneve të sakta, mbikëqyrjen ajrore dhe informacionin e inteligjencës”.

Sulmi i së shtunës është i pesti në një shkollë në Gaza nga ushtria izraelite që nga e diela e kaluar. Më 5 gusht zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në fillim të kësaj jave tha se ishte “e tmerruar nga modeli i shpalosur” i sulmeve ndaj shkollave në Gaza, duke shtuar se “sulme të tilla po përshkallëzohen”.

Aksioni ushtarak izraelit në Gaza ka vrarë rreth 40,000 palestinezë dhe plagosur mbi 90,000, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës. Që nga fillimi i korrikut, gati 2 milionë njerëz ishin zhvendosur në enklavë, pothuajse e gjithë popullsia e saj, sipas shifrave nga Kombet e Bashkuara.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com