Masakra e Dobraçit/ Nuk ndaluan të dyshuarin si Ibrahim Lici, Apeli ndryshon masën për 4 efektivët

Gjykata e Apelit ka vendosur të heqë masën e pezullimit nga detyra për katër efektivët e Njësisë “Shqiponjat” në Shkodër, të akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me maskarën e Dobraçit.

Përveç kësaj, Apeli ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Shkodrës, duke hequr edhe masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit për katër efektivët. Ata do të hetohen në gjendje të lirë, me masë sigurie “detyrim paraqitjeje”.

Ishte Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ajo e cila referoi materialet në Prokurorinë e Shkodrës, duke i akuzuar efektivët për mosveprim gjatë masakrës, ku mbetën të vrarë katër persona.

Ata akuzohen se nuk ndaluan personin e tretë në automjetin e viktimave, i cili dyshohet të jetë i shumëkërkuari Ibrahim Lici.

Ngjarja tragjike ndodhi më 30 tetor në zonën e Dobracit, në rrugën Shkodër-Koplik, ku persona të paidentifikuar hapën zjarr ndaj një automjeti me targa kroate.

Në atentat mbetën të vrarë Hamza Lici, vëllai i të shumëkërkuarit Ibrahim Lici; Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të PD për kryetar bashkie, Xhemal Bushati; si dhe kalimtarja Flutura Basha. Bashkëshorti i saj, Bashkim Basha, ndërroi jetë tre ditë më pas në spital.

Autorët dyshohet se hapën zjarr për rreth 150 metra gjatë ndjekjes së automjetit ku ndodheshin viktimat. Hetuesit mendojnë se atentatin e kryen tre persona: dy në rolin e ekzekutorëve dhe një si drejtues i mjetit.

Një video amatore, e publikuar pas ngjarjes, sugjeron se Ibrahim Lici mund të ketë qenë i pranishëm në vendngjarje. Aktualisht, analizat shkencore mbi një armë të tretë të gjetur në automjetin e viktimave janë në proces, për të përcaktuar nëse ajo përmban shenja gishtërinjsh ose gjak që i përkasin Licit.

Konfirmimi i pranisë së tij do të mund të orientonte hetimet drejt zbardhjes së shënjestrës kryesore të atentatit dhe motivit të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com