Masa për shkak të temperaturave të larta/ Do të reduktohet apo jo orari i punës për administratën, qeveria bë njoftimin e rëndësishëm

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka reaguar pas lajmeve se nga dita e mërkurë do të shkurtohet orari i punës për punonjësit e administratës publike, për shkak të të nxehtit afrikan.

Në fakt, sipas sqarimit, nuk kemi të bëjmë me reduktim të orarit, por ndryshimi lidhet me një VKM për rregullat e reja të kohëzgjatjes në punë, duke përfshirë konceptin e orarit ditor fleksibël për çdo punonjës të administratës publike.

Kështu, propozimi në fjalë parashikon që punonjësi i administratës mund të zgjedhë një orar pune fleksibël duke respektuar gjatë katër ditëve të javës kohëzgjatjen prej 8 orë e 30 minuta nga e hëna e deri të enjten, ndërsa të premten orari i punës zbret në 6 orë.

Fasha e detyrueshme orare kur të gjithë nëpunësit duhet të jenë në vendet e tyre të punës, të jetë çdo ditë nga ora 9:30 deri në 15:30, ndërsa ditën e premte nga ora 9:30 deri në 13:00.

“Kjo iniciativë vjen si përgjigje për të përmirësuar fleksibilitetin dhe efikasitetin në administratën publike, duke reflektuar nevojat e punonjësve për një orar më të përshtatshëm dhe një balancim më të mirë të jetës dhe punës. Ky ndryshim nuk është i lidhur me temperaturat e larta të ditëve të fundit, sikurse është publikuar në disa portale, por me injektimin në mënyrë të qëndrueshme të fleksibilitetit në punë”, sqaron Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Njoftim për mediat

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka propozuar një ndryshim në VKM nr. 568, datë 6.10.2021 “Për miratimin e rregullave për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit, orët shtesë dhe kompensimin e tyre në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore”, që prezanton për herë të parë në administratën publike konceptin e orarit ditor fleksibël.

Fleksibiliteti në orarin e punës ka qenë një kërkesë kryesore e shprehur nga punonjësit e administratës, me qëllim krijimin e një mjedisi pune më mbështetës për të gjithë.

Projektvendimi propozon që brenda kohëzgjatjes ditore të punës, të punësuarit të kenë mundësinë të zgjedhin oraret kur do të kryejnë orët e plota të ditës së punës, duke caktuar një fashë orare kur të gjithë nëpunësit duhet të jenë në punë.

Specifikisht, në kuadër të këtij projektvendimi propozohet në institucionet e administratës shtetërore:
• Kohëzgjatja ditore e orëve të punës të jetë 8 orë e 30 minuta nga e hëna deri të enjten dhe 6 orë ditën e premte.
• Orari ditor i punës të jetë fleksibël, me kushtin që të plotësohen orët e plota (pra 8.5 orë dhe 6 orë).
• Fasha e detyrueshme orare kur të gjithë nëpunësit duhet të jenë në vendet e tyre të punës, të jetë çdo ditë nga ora 9:30 deri në 15:30, ndërsa ditën e premte nga ora 9:30 deri në 13:00.

Kjo iniciativë vjen si përgjigje për të përmirësuar fleksibilitetin dhe efikasitetin në administratën publike, duke reflektuar nevojat e punonjësve për një orar më të përshtatshëm dhe një balancim më të mirë të jetës dhe punës.

Ky ndryshim nuk është i lidhur me temperaturat e larta të ditëve të fundit, sikurse është publikuar në disa portale, por me injektimin në mënyrë të qëndrueshme të fleksibilitetit në punë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com