Guvernatori i Bankës Popullore të Kinës, Pan Gongsheng deklaroi të martën një paketë masash gjithëpërfshirëse, si ulje e normave të interesit bankar dhe rritjen e likuiditetit në treg.
Për të trajtuar sfidat e vazhdueshme në tregun e pasurive të paluajtshme të Kinës, Pan njoftoi se parapagimi minimal për hipotekë të shtëpisë së dytë do të ulet nga 25% në 15% në mbarë vendin.
Banka Qendrore e Kinës do të udhëzojë bankat komerciale për të ulur normat e interesit për hipotekë ekzistuese për t’u përshtatur me nivele të ngjashme të kredive aktuale. Reduktimi mesatar i pritshëm është 50 pikë bazë.
Kjo synon të sigurojë lehtësim për miliona pronarë shtëpish dhe të stimulojë shpenzimet e konsumatorëve. Pritet që nga kjo politikë të përfitojnë 50 milionë familje që kanë blerë shtëpi me hipotekë. Mesatarisht, shpenzimet totale të interesit do të reduktohen me rreth 150 miliardë juanë (21.3 miliardë dollarë) në vit.
Gjithashtu, Banka Qendrore e Kinës do të ulë normën e interesit për marrëveshjes së anasjelltë të riblerjes afatshkurtër shtatëditore me 0.2 pikë përqindje në 1.5%. Normat kryesore të kredisë (LPR), standardi i Kinës për çmimin e kredisë, do të bien në të njëjtën kohë.
Pan tha se do të studiojë dhe do të lejojë bankat e politikave dhe bankat tregtare të japin kredi për të mbështetur ndërmarrjet e kualifikuara për të blerë tokë nga ndërmarrjet e pasurive të paluajtshme në përpjekje për të rigjallëruar përdorimin e tokës ekzistuese.
Banka Qendrore do të ulë RRR-në me 0.5 pikë përqindje “në të ardhmen e afërt”, duke shtuar rreth një trilion juanë (140 miliardë dollarë) likuiditet në sistemin financiar.
Kina do të prezantojë mjete të reja për të mbështetur tregjet e kapitalit. Këto përfshijnë një instrument shkëmbimi të letrave me vlerë, fondeve dhe kompanive të sigurimit, i cili do t’i lejojë institucionet financiare të shkëmbejnë aktive me likuiditet të ulët për aktive me cilësi të lartë dhe me likuiditet të lartë. Banka Qendrore ka ndarë 500 miliardë juanë fillestarë (71 miliardë dollarë) për këtë program.
Banka qendrore planifikon gjithashtu të nisë një program marrëveshjeje riblerjeje për të mbështetur blerjet e aksioneve dhe rritjen e aksioneve nga kompanitë e listuara dhe aksionerët e tyre kryesorë. Kjo pritet të rrisë besimin e tregut dhe të stabilizojë çmimet e aksioneve.
Treguesit e bursës Shangai, ose aksionet A të Kinës u rritën të martën me 4.15%