Marrëveshja e Shqipërisë me Italinë për emigrantët do të shqyrtohet ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese me dyer të mbyllura.
Shqyrtimi në Kushtetuese i kësaj marrëveshje ka ardhur pas kërkesës së bërë nga deputetët që mbështesin Sali Berishën dhe Gazment Bardhin për deklarimin e saj të papajtueshëm me Kushtetutën.
Deputetët pretenduan se marrëveshja është negociuar dhe nënshkruar në mungesë të autorizimit nga Presidenti i Republikës që bie ndesh me Kushtetutën, Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
Mungesa e konsultimeve dhe bashkëpunimi me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB për refugjatët, ishte një tjetër argument që sipas opozitës është në kundërshtim me nenin 35 të Konventës së Gjenevës.
Në argumentet e tyre, deputetët firmëtarë sqaronin se protokolli shkel dhe cënon të drejtat që Kushtetuta e Shqipërisë iu njeh të huajve, kufizon në mënyrë të padrejtë lirinë, si dhe cënon parimin e barazisë.
Trupa gjykuese e Kushtetueses vlerësoi se kërkesa e bërë nga deputetët që mbështetin Sali Berishën dhe Gazment Bardhin plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe pezulloi ratifikimin nga ana e parlamentit të marrëveshjes për emigrantët që ishte parashikuar për t’u votuar nga Kuvendi.
“Bazuar në nenin 52, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”.
Kujtojmë se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët është nënshkruar në 6 Nëntor në Romë nga kryeministrat Rama e Meloni. Plani i të dy qeverive ishte që në muajin Qershor të ishte gati infrastruktura në Shëngjin e Gjadër në mënyrë që të niste mbërritja e refugjatëve.
/a.r