Socialistët janë gati për të votuar të enjten në parlament marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët dhe amnistinë penale. Vendimi është marrë ditën e sotme në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku u diskutua agjenda e javës së re në Kuvend.
Në fjalën drejtuar deputetëve të mazhorancës, Çuçi tha se pritet zbardhja e plotë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese këto ditë të para të javës, që i hap më pas rrugë për çuarjen në seancë.
Duke qenë se për Amnistinë Penale duhen 84 vota, Çuçi tha se do të bashkëpunojnë me opozitën. Gjasat janë që 84 vota të bëhet me opozitën e Lulzim Bashës, pasi mazhoranca i pranoi propozimin e tyre për të amnistuar personat e arrestuar gjatë protestave të Partisë Demokratike.
“Projektligjin për Amnistinë Penale, Komisioni për Çështjet Ligjore parashikon për ta kaluar të martën. Do të rakordojmë dhe me opozitën për të bërë 84 votat e nevojshme për miratim”, deklaroi Çuçi.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS kërkoi gjithashtu prezencë të deputetëve në seancë në mënyrë që projektligjet dhe marrëveshjet e parashikuara në rendin e ditës të miratohen.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi i opozitës, nëse do të lejojë debatin në sallë apo do të vijojë me kaosin.
/a.r