Gjykata Kushtetuese do të mblidhet sërish sot për çështjen e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, pasi opozita e cila ka ankimuar rastin, kishte paraqitur disa dokumente shtesë.
Në seancën e pesë ditëve më parë, Gjykata “konstatoi se në datën 23.01.2024, ora 15:55, kërkuesi ka paraqitur parashtrime shtesë me shkrim, në përmbajtje të të cilave kërkohej edhe marrje e disa provave. Parashtrimet shtese iu komunikuan për dijeni subjekteve të interesuara në datën 24.01.2024, ora 9:30. Në këto rrethana, Gjykata vendosi të shtyjë seancën gjyqësore të radhës në datën 29.01.2024, ora 10.00” shpjegohet në njoftimin e shpërndarë pasdite.
Marrëveshja e firmosur në Romë në 6 nëntor të vitit të kaluar, mes kryeministrave të të dy vendeve, përfshin emigrantët që nisen nga Afrika e Veriut dhe kapen në det nga anijet italiane. Ajo parashikon ngritjen e një pike në Shëngjin ku do të kryhen procedurat e verifikimit të emigrantëve dhe një qendre në Gjadër, ku ata do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit.
Përgjegjësia mbi çdo veprimtari do të jetë e Italisë, së cilës i njihet dhe juridiksioni i plotë mbi qendrën e pritjes.
/a.r