Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka këshilluar drejtuesit dhe anëtarët e partisë së saj që të tregohen të kujdesshëm lidhur me projektin për marrëveshjen e emigrantëve me Shqipërinë, pasi “sytë e botës janë nga ne”.
Meloni bëri të ditur se protokolli për këto qendra pritje të emigrantëve është gati, ndërsa tha se zbatimi i kësaj marrëveshje do të ndryshonte mënyrën e qeverisjes së imigracionit të parregullt.
“Brenda pak javësh do të jetë gati Protokolli me Shqipërinë dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe skrupuloz ndaj këtij projekti sepse sytë e botës i kemi të përqendruar tek ne. Të gjithë e kuptojnë se kjo nismë mund të ndryshojë tërësisht mënyrën e qeverisjes së imigracionit të parregullt. Ne e kuptojmë dhe profesionistët e emigracionit të parregulluar e kuptojnë dhe ata do të bëjnë gjithçka për t’i vënë shkopinj nën rrotat kësaj nisme”, tha Meloni.
Qendrat e pritjes së emigrantëve pritet të hapen gjatë muajit shtator, ndërsa vetë kryeministrja Meloni i inspektoi ato së bashku me kryeministrin Edi Rama gjatë muajit qershor. Stafi italian që do të menaxhojë qendrën nga shtatori është udhëzuar që të kenë etikë dhe të bëjnë kujdes me sjelljen e tyre në raport me popullsinë vendase në zonën e kampit.
Ndërkohë, agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara, do të monitorojë tre muajt e parë të zbatimit të marrëveshjes.
/a.r