Gjykata Kushtetuese i dha dritën jeshile ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes për emigrantët firmosur me Italinë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres Giorgia Meloni më 6 nëntor 2023. Gjyqtarët vlerësuan që kjo marrëveshje nuk ka shkelje të Kushtetuetës dhe as cënim të të drejtave të njeriut.
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, thekson se qeveria shqiptare është gati për të vënë në zbatim marreveshjen. I pyetur nëse refugjatët do të kenë të drejtën të kërkojnë azil në vend, Hasani theksoi se ata do të kenë stacionim të përkohshëm ndërsa shtoi se pritet që të zbardhet edhe vendimi i gjykatës.
Pjesë nga intervista:
Gjykata Kushtetuese la në fuqi marrëveshjen për emigrantët, ndërkohë kryeministri por dhe ju u shprehët se pavarësisht se çështja ishte në Kushtetuese, dy vendet po punonin për të ecur përpara, në çfarë faze jeni për ta vënë në zbatim marrëveshjen, duke marrë në konsideratë angazhimin e dy liderëve, dy kryeministrave për ta vënë këtë qendër në funksion në pranverë?
Pala shqiptare është gati!
Sa gati?
Gati!
Na lejoni t’ju kuptojmë pak më shumë..
Pala shqiptare pjesën e saj e ka kryer, presim që Kushtetuesja të zbardhë vendimin që ka marrë, në Kuvend është parashikuar të futet ditën e enjte dhe unë shpresoj që të kapet, por nuk do ketë vonesa të tjera.
Kushtetuesja ka thënë në atë vendim se do të ketë aplikim të të dy të drejtave edhe të ligjit shqiptar, edhe të ligjit Italian duke specifikuar se cdo emigrant në Shqipëri do të ketë të drejtën të kërkojë azil në vendin tonë, si mund të shpëtojë Shqipëria këtij qëndrimi të përhershëm
Pres zbardhjen e vendimit, do e lexoj me kujdes. Është një vendim që na detyron të gjithëve për t’u zbatuar. Ajo që është e rëndësishme, do bëjmë maksimumin të mbështesim qeverinë italiane për të zbatuar legjislacionin që ka në fuqi.
Por ndërkohë, për të qetësuar shqiptarët që nuk do të shohim pamje që s’i kanë menduar. Do ishte një stacionim i përkohshëm pa të drejtë për të kërkuar azil në Shqipëri
Do jetë një stacionim i përkohshëm në territorin shqiptar, ku legjislacioni Italian dhe legjislacioni i BE do të jetë ai që do të prevalojë. Vendimet le t’i shohim të zbardhura. Mos imagjinojnë pamje dhe momente të vështira për sa kohë që nuk ka as pamje dhe as momente të vëshitra.
Dhe ka garanci nga qeveria njëkohësisht edhe për sigurinë publike nga një dyndje e mundshme e emigrantëve..
Nuk ka as dyndje, as të mundshme. Bëhet fjalë për një maksimum prej jo më shumë se 3 mijë.
Nëse kërkojën azil mund të qëndrojnë më gjatë..
Kjo është hipotetike dhe askush nuk e thotë!
/f.s