21 vende të Bashkimit Europian votojnë këtë të dielë në ditën e fundit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.
Për zgjedhjet në Parlamentin Europian kandidon dhe biznesmeni shqiptar në Venecia, Marko Muharrem Salihu, kandidat i “Stati Uniti D’Europa” në Itali.
Në një lidhje direkte për edicionin e lajmeve në Tv Klan, Salihu u ka bërë thirrje të gjithë votuesve e veçanërisht komunitetit shqiptar në Venecia që të ju drejtohen kutive të votimit.
Pyetje: Si po shkon procesi i votimit në zonën tuaj dhe a mund të themi se ka një pjesëmarrje të kënaqshme deri tani?
Marko Salihu: Në Itali zakonisht kemi një rënie të interesit për zgjedhjet europiane dhe kësaj radhe jemi në këto ritme, nuk pritet të kalojnë 50%. Kutitë janë hapur në mëngjes që në orën 7, besoj se do të kalojë 45%, ndoshta dhe pak më shumë, por nuk pritet ndonjë ndryshim radikal nga trendi rënës për këto votime.
Pyetje: Ndërkohë, ne e kuptojmë, ju jeni në heshtje zgjedhore, por a keni ndonjë mesazh për komunitetin shqiptar që jetojnë në Venecia?
Marko Salihu: Kam një mesazh për të gjithë votuesit në Itali që të shkojnë drejt kutive të votimit sa më shumë të jetë e mundur, për bashkëkombasit e mi të dëshmojnë integritet dhe integrim sa më të madh dhe në këtë fushë, ashtu si po bëjnë në të gjitha fushat, të marrin pjesë në votime më shumë se gjithkush tjetër.