Të tronditur, të trishtuar dhe plot dhimbje për ndarjen nga jeta të kolegut, mikut, dhe artistit të njohur Mirush Kabashi. Kështu janë shprehur kolegët e artistit dhe aktorit të mirënjohur, Mirush Kabashi i cili dha frymën e fundit mesnatën e këtij 5 dhjetori. Ata kanë rrëfyer si e kanë njohur ndër vite, nëpërmjet roleve të shumta që i kanë bërë bashkë, duke treguar se ai spikaste për vullnetin e tij ndaj punës dhe perfeksionimit.
Aktori Ndriçim Xhepa u kthye pas në kohë, kur luajti për herë të parë me Kabashin në filmin ‘Kohë e largët’, ndërsa theksoi se ky i fundit ishte maniak i përpikërisë.
“Lajm i trishtë në këtë mëngjes dhjetori. Është lajm i trishtë për bashkëshorten, për dy vajzat e tij dhe komunitetin e teatrit të Durrësit, ku punoi për shumë vite. Ka pasur edhe prezencë në televizionin shqiptar, në spektakle të fundvitit dhe më pas erdhi në teatrin Kombëtar pas viteve 2000. Ka bashkëpunuar me të gjithë kolegët. Ishte prezent në shumë institucione dhe për spektatorin dhe artdashësit që prekën artin e tij. Mirushin, e kam takuar shtatorin që kaloi. E pashë mirë nga ana psiko-fizike, pasi kishte disa kohë që vuante nga kjo sëmundje e rëndë. Ishte natyrë vitale, sikur nuk e ndjeje fare që ai kalonte një situate të tillë. Ndejmë dhe biseduam dhe menduam se do t’ia kalonte. Por ja që s’paska qenë e thënë. Pasi ai ishte notar, sportist, nuk përdorte alkool dhe as cigare, por nuk qenka e shkruar. Ishte një aktor punëtor, maniak dhe me ekzigjenca të mëdha. Ne jemi bashkuar në javët e fundit të filmit ‘Kohë e largët’, ishim në ishullin e Prespës dhe punuam vetëm bashkë dhe vura re një maniakëri”, tha Xhepa për News 24.
Aktorja Zamira Kita tha se është njohur me Kabashin që në rininë e saj dh kanë pasur një miqësi të fortë. Ndër të tjera ajo tha se Kabashi ishte një artit i madh i skenës shqiptare dhe sa herë që shkonte në festivalin ‘Koko Fest’ jepte ide dhe sugjerime për përmirësim.
“Kjo është një ditë jo e mirë për skenën dhe artdashësit shqiptarë. Lidhja me Kabashin është shumë e hershme. Kam krijuar dhe një miqësi të fortë me të. Mirushi zhvillonte ide për të perfeksionuar festivalin e ‘Koko Fest’. Karriera e tij dhe mjeshtëria e madhe e tij ka bërë që të jetë ‘Nderi i Kombit’ dhe mjeshtri i madh i skenës. Ne jo vetëm që kemi ndjekur shfaqjet, por jemi përpjekur që së bashku të shëtisnim në vende të bukura turistike të Korçës, ku ne kemi marrë kënaqësi. Doja të shprehja ngushëllimet për familjarëve, komunitetet artistik dhe kujtdo që ka ndjekur veprat e tij”, u shpreh Kita.
Bujar Kapexhiu e cilësoi një humbje të madhe, ndërsa theksoi se ai ishte tepër i veçantë për nga talenti.
“Një humbje e madhe për familjen, miqtë, shokët dhe artin shqiptar. Themi shpesh për aktorët dhe regjisorët që janë të rrallë, por për Mirushin fjala e sinqertë është; një aktor dhe artist i rrallë. Ai ka qenë një aktor i talentuar, virtuoz. Atë e dallonte nga të tjerët, serioziteti, këmbëngulja dhe puna që bënte me rolin, madje ne thonim; e tepron më këtë seriozitet. Mbi këtë material më pas kishte një punë të jashtëzakonshme. Ai kishte korrektesë për gjithçka.”, tha ai.
Aktori Bujar Asqeriu tregoi se Mirush Kabashin kishte një impenjim të jashtëzakonshme para publikut dhe mikrofonit dhe papritur ai kthehej në një magjistar. Ndër të tjera, ai tha se Mirush Kabashi tregoi se Shqipëria paska aktorë të kalibrit botëror.
“Mirush Kabashi ishte nja aktorët e rrallë tragjik-komik të artist shqiptar. Së pari më lejoi të shpreh ngushëllimet. Pas dhjetëra roleve në kinematografi dhe skenike krijoi një figurë të artit shqiptar. Ne rolin e ‘Sokrati’ krijoi një rol të madh. Ne jemi njohur bashkë prej shumë kohësh, merrnim pjesë në evente poezie dhe nuk linim asnjë event pa shkuar. Ai shkëlqente në poezi. Kishte një impenjim të jashtëzakonshme para publikut dhe mikrofonit, papritur ai kthehej në një magjistar. Për Mirushin duhet të flasësh shumë për këtë figurë të ndritur të artit shqiptar”, u shpreh Asqeriu.
Aktori Vasjan Lami ka kujtuar përmes një lidhjeje telefonike për News24 njohjen dhe bashkëpunimet me Kabashin.
“Publiku ka adhuruar çdo rol të Mirush Kanashit. Ishte i veçantë. I jepje punën dhe rrije rehat. Ka qenë shumë vital, familjar, ai iku i ri. Ai në Durrës, hidhej nga porti dhe shkonte te Iliria dhe kthehej pas. Ai ka qenë skiator i mirë. Më vjen keq që gjithë ky angazhim fizik nuk ta shpërblen. Ai ishte shumë korrekt, elegant. Në koncertet poetike e ftoja Mirushin dhe ai më tregonte materialet. Asgjë nuk ka qenë e shpërblyer sa meritojë për artistët. Aktori është profesion i privilegjuar, ke dhe adhurim në popull. Ne bëjmë 5 lekë punë dhe na e shohin të gjithë, por është profesion me përgjegjësi, pasi vihesh përballë dhe gjykohesh nga shumë njerëz. Jetesa këtu është e pallogaritshëm, është qesharake!”, tha ai.