Sot shënohet 33 vjetori i 2 Prillit në Shkodër. Kjo njihet edhe si dita e vrasjeve të fundit të komunizmit në Shqipëri.
Edhe pse ishte rrëzuar busti i Enver Hoxhës në Tiranë disa muaj përpara, shteti autoritar vazhdonte të ishte në këmbë. Gjatë revoltave popullore në Shkodër, ndaj popullsisë u qëllua më armë ku mbetën të vdekur 4 persona Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka.
Autorët e këtyre vrasjeve nuk u gjetën kurrë, por ato iu faturuan nga PD-ja shtetit të kohës.
33-vjetori është kujtuar edhe nga kryetari i PD, Lulzim Basha, i cili 20 vite më pas do të ishte edhe ministri i Brendshëm i 21 Janari ku qeveria Berisha vrau po katër persona.
Sot Basha thotë se regjimi godiste pa mëshirë këdo që kërkonte ndryshimin. Kryedemokrati tha se ngjarje të tilla duhet të shërbejnë si përkujtim se “asnjëherë nuk duhet të rreshtim së përpjekuri për t’i tharë rrënjët e së keqes”.
“Protesta e 2 Prillit 1991 dhe masakra që pasoi është një ngjarje e përmasave epokale që tregon se përmbysjet e mëdha nuk mund të realizohen pa sakrifica të mëdha. Ndonëse regjimi ishte duke dhënë shpirt, ai ishte i gatshëm të godiste pa mëshirë të gjithë ata që donin ndryshim dhe një Shqipëri si të gjithë Europa.
Përulje të thellë dhe nderim të përjetshëm për lulen e rinisë shkodrane, Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën, martirizimi i të cilëve shënjoi nisjen e një ndryshimi rrënjësor, që sa më shpejt të ndodhte aq më mirë do të ishte për të gjithë shqiptarët. Edhe pse kanë kaluar 33 vite, duket se e keqja përsërit vetveten, ndaj ngjarje të tilla duhet të na shërbejnë si përkujtim se për Lirinë dhe Demokracinë duhet të shkojmë në betejë përditë.
Kjo datë është një kambanë e përhershme dhe një thirrje e pandalshme se asnjëherë nuk duhet të rreshtim së përpjekuri për t’i tharë rrënjët e së keqes, duke i shkulur një herë e përgjithmonë, dhe duke mbjellë farën e së mirës për një shoqëri dhe komb që e ka të domosdoshëm ndryshimin dhe përtëritjen”, shkruan Basha.
/a.r