Nga lufta në Lindje të Mesme, ajo në Ukrainë e deri te rrëzimi i diktatorit Bashar al-Assad, viti 2024 mund të përshkruhet edhe si “vit i botës në zjarr”. Arritja e marrëveshjes së armëpushimit në Liban dhe përafrimi për një të tillë në Gaza, japin shpresë se 2025-ta do të jetë pak më e qetë. Por me rikthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë rikthehen edhe shumë paqartësi.
Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme
Konflikti i nisur në Lindje të Mesme në tetorin e 2023-s, kur militantët e Hamasit sulmuan brenda territorit izraelit dhe vranë rreth 1200 persona e morën 250 pengje, u zgjerua më 2024. Hakmarrja e Izraelit për sulmin e Hamasit qe e shpejtë dhe e rëndë. Afro 44 mijë palestinezë u vranë në Gaza, sipas të dhënave të autoriteteve palestineze të shëndetësisë, teksa forcat izraelite po vazhdojnë misionin për ta shkatërruar Hamasin dhe për t’i rikthyer pengjet.
Pjesa më e madhe e Gazës u rrënua në këtë konflikt, ndërsa dy të tretat e ndërtesave janë dëmtuar apo shkatërruar plotësisht. Shumica e 2.3 milionë banorëve të territorit mbetën të pastrehë dhe në kërkim të një çatie mbi kokë nëpër kampe refugjatësh, si ai i Jabalias. E, edhe këto kampe u shënjestruan nga Izraeli, me pretendimin se aty fshihen militantë të Hamasit.
Ndërsa numri i viktimave vazhdonte të rritej në Gaza, dhuna shpërtheu në Bregun Perëndimor e kaloi edhe në Liban. Aty militantë të Hezbollahut patën nisur sulmet ndërkufitare qysh nga tetori i 2023-s. Por fiks një vit pas Izraeli i intensifikoi sulmet ndaj grupit, me ofensivë tokësore në Libanin jugor dhe në kryeqendrën Bejrut. Sulmet u nisën me goditjen befasuese ndaj Hezbollahut, me ç’rast anëtarëve të tij iu shpërthyen pejxherët e radiolidhjet. Për pasojë, me dhjetëra u vranë e me mijëra u plagosën. E, veç disa javë pas nisi ofensiva tokësore e Izraelit.
Vrasja e një sërë figurash të larta të Hamasit dhe Hezbollahut, përfshirë liderët Ismail Haniyeh, Hassan Nasrallah dhe Yahya Sinwar, u festua si triumf nga Izraeli. Por ngjarjet çuan në tensione edhe me Iranin. Dy sulme të ndërsjella me raketa e dronë mes Iranit e Izraelit rritën frikën për një luftë më të gjerë në të cilën mund të përfshihej edhe aleati i Izraelit, SHBA-ja. Por në një moment të rrallë pozitiv, në nëntor u arrit dakordimi për armëpushimin Izrael-Hezbollah, me ndërmjetësim të SHBA-së e Francës. Qe moment që jep shpresë edhe për Gazën.
Fundi i Assad
E, duke përfituar nga rrëmuja në Lindjen e Mesme, veçmas dobësimi i Hezbollahut, rebelë sirianë ndërmorën ofensivë të gjerë kundër ushtrisë siriane të diktatorit Bashar al-Assad. Për pak më tepër se një javë, sundimi pesëdekadësh i familjes Assad mori fund në dhjetor. Rebelët e pushtuan vendin teksa Assad iku në Rusi, si azil politik, pasi në Siri sundoi që nga viti 2000. Pushtetin e pati trashëguar nga babai Hafez al-Assad, që postin e mbajti nga viti 1971 deri më 2000.
Rënien e Assadit nga pushteti e festuan me mijëra sirianë. Disa ua mësynë edhe burgjeve famëkeqe për t’i gjetur familjarët e mbyllur prej vitesh e edhe dekadash. Një prej tyre qe burgu Saydanya, që njihej si “thertorja” e Damaskut. E lideri i grupit të rebelëve “Hayat Tahrir al Sham”, Abu Mohammed al-Jolani, u caktua kryeministër i përkohshëm. U bënë thirrje për zgjedhje të reja e të lira. Ndërkaq Izraeli nisi sulme ajrore në drejtim të objekteve ushtarake në Siri, me synimin e deklaruar që armatimi të mos bjerë në duar të islamikëve radikalë.
Rrëzimi i Assadit i shkaktoi goditje edhe prestigjit të presidentit rus, Vladimir Putin. Rusia e tij qe aleatja kyç e regjimit të Assadit, nisur nga ofrimi i mbulimit diplomatik në Kombet e Bashkuara e deri te dërgimi i ndihmës ushtarake për regjimin. Rusia u vlerësua si forca që mbajti Assadin aq gjatë në pushtet.
Pas dështimit me Assadin, tash Putini e riktheu përqendrimin e plotë te Ukraina.
Koreja Veriore e Irani, satelitët e Rusisë në Ukrainë
Pushtimi rus i Ukrainës hyri në vitin e tretë të tij, por sulmet e shkatërrimet s’kanë të ndalur. Në to janë përfshirë edhe Koreja Veriore dhe Irani, në përkrahje të Rusisë. Pasi Ukraina e nisi ofensivën befasuese për pushtimin e rajonit rus, Kursk, Koreja e Veriut e mbështeti Rusinë me rreth 11 mijë ushtarë.
Nervozizëm nxiti vendimi i nëntorit i SHBA-së për t’ia miratuar Ukrainës përdorimin e raketave me rreze të gjata veprimi për goditjen e caqeve brenda territorit rus. Veprimin e SHBA-së e pasoi edhe Britania e Madhe.
Në kundërpërgjigje, Rusia përdori për herë të parë raketën eksperimentale “Oreshnik”. Është kjo raketë hipersonike eksperimentale që Putini tha se e përdori në reagim kundër “veprimeve agresive” të NATO-s “anti-Rusi”. Teksa Rusia vazhdoi ta godasë infrastrukturën energjetike ukrainase e bëri përparime në territorin lindor të shtetit, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ua prezantoi aleatëve perëndimorë atë që e quajti “plan i fitores”. Një prej kërkesave në këtë plan qe lejimi i përdorimit të raketave me rreze të gjatë veprimi. E këtë kërkesë Vladimir Putini e përditësoi me dekretin për mundësinë e përdorimit edhe të armëve bërthamore.
Fjalimi i fundvitit i Putinit u përcoll me mesazh gatishmërie për kompromise me Trumpin për Ukrainën. Ai edhe e ftoi Perëndimin në një “duel” raketor, duke u mburrur me “Oreshnikun”.
Përkrahja me armë për Ukrainën nuk mungoi gjatë vitit. SHBA-ja vazhdoi të jetë përkrahësja më e madhe e vendit. Por ndihma mund të zbehet, kur Donald Trump ta marrë detyrën si president, në janar. Ai paralajmëroi se kur ta marrë pushtetin do t’i japë fund luftës në Ukrainë “shumë shpejt”.
Rikthimi i madh
Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë katër vjet pasi u largua prej saj. Në zgjedhjet e 5 nëntorit, republikani triumfoi bindshëm karshi demokrates Kamala Harris. Republikanët e tij i fituan edhe Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, duke ia ofruar Trumpit pushtetin e plotë.
Por gjer këtu punët u përcollën me goxha zhvillime. Në fillim, përballja për ulësen në Shtëpinë e Bardhë qe mes Trumpit dhe presidentit aktual, Joe Biden. Ama fushata mori kah tjetër kur Biden u tërhoq nga gara në korrik, pas debaklit në debatin e parë presidencial me Trumpin. Këtë e pasuan thirrjet e vetë demokratëve të tij për largim nga gara. Ndonëse në fillim i sfidoi, më pas iu bind thirrjeve dhe “stafetën” e garës ia dorëzoi zëvendëses së tij, Kamala Harris.
E as për Trumpin periudha e fushatës nuk ka qenë aspak e lehtë. U përball me padi, por edhe me një tentim atentati. Në 7 korrikun e 2024-s, Thomas Matthew Crooks qëlloi me armë në drejtim të Trumpit gjatë një tubimi në Butler të Pennsylvanias. Trump mori plagë në vesh, e gjatë këtij atentati u vra një person. Sulmuesi njashtu u vra. Në shtator ndodhi një tjetër tentim atentat ndaj Trumpit, në afërsi të fushës së tij të golit në Florida, por atentatori u kap para se të sulmonte.
Trumpi në gjykatë u përball edhe me padi si për tentim të ndryshimit të rezultateve zgjedhore, ashtu edhe për mashtrim në lidhje me rastin e pagimit të “parave për heshtje”. Në rastin e dytë në maj, ai u shpall fajtor për 34 pika të akuzës lidhur me falsifikime të të dhënave biznesore. Rasti lidhet me pagesën 130-mijëdollarëshe për yllin e filmave pornografikë, Stormy Daniels, në këmbim të heshtjes për lidhjen e pretenduar intime me Trumpin para zgjedhjeve të 2016-s. Dy raste ndaj Trumpit u pushuan nga prokurori i posaçëm, Jack Smith – një për mbajtjen e paligjshme të dokumenteve të klasifikuara dhe një për tentim për përmbysje të rezultateve të zgjedhjeve, pas triumfit të Trumpit në zgjedhjet në SHBA.
E pas triumfit, Trumpi e caktoi kabinetin e tij për të dytin mandat. Bota veçse i nisi përgatitjet për rikthimin e tij. Trump paralajmëroi t’u vendosë tarifa Kinës, Meksikës e Kanadasë. Premtoi njashtu se do t’u japë fund luftërave, përfshirë atë të Ukrainës e Lindjes së Mesme. Foli edhe për mundësinë e largimit nga NATO-ja, po qe se shtetet anëtare s’i përmbushin kërkesat për investimet e nevojshme në mbrojtje.
Evropa dhe e djathta ekstreme
Krahas SHBA-së, zgjedhje pati edhe në Bashkimin Evropian të përfshirë në rrëmuja politike, madje në vendet më të mëdha të saj – Gjermani e Francë. Zgjedhjet për Parlamentin Evropian demonstruan rritje për të djathtën populiste, ndonëse tri grupet më të mëdha politike mbetën të pandryshuara. Në votimet e 6 deri 9 qershorit, grupi i Partisë Popullore Evropiane (EPP) i qendrës së djathtë doli i pari – sikurse përherë që nga 1999-a. Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) doli e dyta e Partia Renew e qendrës liberale, e treta. E djathta populiste sigurisht pati përparim. Grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR) – që përfshin partinë e Giorgia Melonit, Vëllezërit e Italisë; partinë polake Ligji dhe Drejtësia (PiS), atë të Demokratëve Suedezë dhe partinë spanjolle Vox – fitoi 73 ulëse.
Në disa shtete anëtare individualisht, populistët dolën veçanërisht mirë. Partia Fronti Kombëtar i Marie le Penit triumfoi në Francë, duke përfunduar me mbi 15 pikë përqindjeje para koalicionit të presidentit Emmanuel Macron. Pas humbjes, Macroni shpalli zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Në to, numrin më të madh të vendeve e siguruan Fronti i Ri Popullor dhe aleatët e tij. Aleanca e Macronit doli e dyta dhe “Fronti Kombëtar” (megjithëse përfundoi si partia më e madhe e vetme) u rendit e treta. Parlamenti mbeti i ndarë në tri blloqe, afërsisht të barabarta dhe kundërshtare: e majta e gjerë, qendra, dhe e djathta/e djathta ekstreme, asnjëra prej të cilave, në mënyrë thelbësore nuk gëzoi asgjë që i afrohej shumicës parlamentare.
Pas javësh përplasjeje dhe refuzim për të emëruar kryeministër nga e majta, Macroni e caktoi për këtë pozitë Michel Barnierin, kryenegociatori i BE-së për Brexit. E në dhjetor, “Fronti Kombëtar” i bashkoi forcat me NFP-në e majtë për ta rrëzuar Qeverinë e Barnierit në një mocion votëbesimi mbi buxhetin e 2025-s.
Macroni sërish përvoli mëngët dhe caktoi edhe një kryeministër të ri dhe të katërtin brenda vitit – François Bayrou.
Në rrëmujë është edhe Gjermania. Koalicioni i përçarë i qendrës së majtë, në pushtet për tre vjetët e fundit, u prish në nëntor kur kancelari Olaf Scholz e shkarkoi ministrin e Financave, Christian Lindner, shkaku i një mosmarrëveshjeje buxhetore. Scholzi e kërkoi votëbesim në Parlament, duke e ditur se do ta humbë. Dhe në dhjetor, ajo që u prit edhe ndodhi. Scholzi humbi votëbesimin, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve, në 23 shkurtin e 2025-s.
E për këto zgjedhje, bazuar në sondazhe, Scholzi nuk po shihet fitues. Kryesues i sondazheve po del Friedrich Merzi i Kristiandemokratëve. Por ka pak gjasa që aleanca CDU-CSU ta fitojë shumicën absolute, pa koalicion. Kështu që, Gjermaninë e presin paqartësitë politike.
Krahas asaj politike, si Franca ashtu edhe Gjermania po përballen edhe me kriza ekonomike. E kur krizat ekonomike mbizotërojnë në dy vendet – ekonomitë më të mëdha të BE-së – atëherë Evropa stagnon.
“Kur Franca dhe Gjermania përparojnë, e gjithë Evropa përparon. Kur ato nuk e bëjnë, ajo ndalet”, pati deklaruar ish-presidenti francez, Jacques Chirac, pothuajse një çerek shekulli më parë.
Nga fuqitë më të mëdha të Bashkimit Evropian, Italia që drejtohet nga partia e së djathtës ekstreme e Georgia Melonit po rezulton më stabilja.
Triumfi i prorusëve në Gjeorgji dhe largimi nga rruga evropiane
Rrëmujat e Evropës prekën edhe Gjeorgjinë. Në këtë shtet, zgjedhjet që e nxorën fituese një parti me qëndrime proruse i dhanë goditje rrugës evropiane të vendit ish-sovjetik. Partia “Ëndrra gjeorgjiane” e biznesmenit Bidzina Ivanishvili i fitoi zgjedhjet e tetorit teksa ato properëndimore refuzuan ta njohin rezultatin, me pretendimin se u manipuluan nga Rusia. Rezultatet nxitën protesta në të gjithë Gjeorgjinë.
Pati thirrje nga shtetet perëndimore, përfshirë edhe nga BE-ja, që të mbahen zgjedhje të reja brenda një viti.
E më 28 nëntor, Parlamenti Evropian e kaloi një rezolutë që kërkoi zgjedhje të reja.
Kjo nxiti një reagim nga partia në pushtet që mori vendim t’i pezullojë bisedimet e anëtarësimit me BE-në deri më 2028. Kryeministri Irakli Kobakhidze i akuzoi PE-në dhe liderët evropianë për “shantazh”.
Largimi nga rruga evropiane rriti tensione e protesta të vazhdueshme.
Më 14 dhjetor, ish-futbollisti Mikheil Kavelashvili u zgjodh president nga kolegji elektoral i përbërë nga deputetët, këshillat komunale dhe legjislatura rajonale. Pra, një procesi indirekt votimi.
Kavelashvili njihet si figurë me qëndrime të së djathtës ekstreme. 53-vjeçari ka bindje kundër Perëndimit dhe kundër të drejtave për komunitetin LGBTQ. Presidentin në Gjeorgji e zgjedh një kolegj zgjedhor me 300 delegatë, ani se këtë herë anëtarë të opozitës e bojkotuan. Kolegji është i dominuar nga partia në pushtet, “Ëndrra Gjeorgjiane”. Dhe saga në këtë shtet ende vazhdon.
Por jo veç aty pati telashe me zgjedhje. Për ndërhyrje në proces elektoral nga Rusia u pretendua edhe në Rumani. Gjykata Kushtetuese e Rumanisë i anuloi rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, pak para se të mbahej balotazhi. Këtë raund e fitoi Calin Georgescu, figurë thuajse krejtësisht e panjohur e ekstremit të djathtë dhe skeptik i NATO-s që u përgëzua nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Kushtetuesja mori vendim, pasi dokumente të deklasifikuara të inteligjencës sugjeruan se ai përfitoi nga një operacion masiv i ndikimit – i kryer nga jashtë – për të ndërhyrë në rezultatin e zgjedhjeve.
Kryeministri në largim, Marcel Ciolacu, tha se vendimi i Kushtetueses qe “zgjidhja e vetme korrekte pas publikimit të dokumenteve të deklasifikuara…që tregojnë se rezultati i votimit të rumunëve është shtrembëruar si rezultat i ndërhyrjes së Rusisë”.
Në hall me protesta është edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Qeverisja e tij po trandet nga vala e re e protestave që nisi pas vendimit të ekzekutivit më 16 korrik, për ta çuar përpara projektin e ndërtimit të minierës së litiumit në luginën Jadar, ani se qe pezulluar më 2022. Tri ditë më vonë, Qeveria e Serbisë e nënshkroi në Beograd një “memoradum për lëndët e para kritike” me BE-në që parasheh një zinxhir të plotë prodhimi – prej minierës së litiumit në Jadar, deri te prodhimi i baterive për makina elektrike.
Protestat e nisura për këtë sebep u shuan përkohësisht, për t’u riaktivizuar në nëntor. Shkaku qe bërë shembja më 1 nëntor e çatisë së stacionit të porsarinovuar hekurudhor në Novi-Sad, që i la të vdekur 15 persona. Fatkeqësia i dha hov edhe një vale protestash. Fillimisht nga studentët, e më pas edhe nga bujq e shtresa të tjera qytetarësh.
Për organizimin e tyre, Vuçiç akuzoi fuqitë e jashtme.
“Nëse mendojnë se jam Assadi dhe do të ik diku tjetër, nuk do ta bëj këtë”, pati thënë ai më 11 dhjetor, disa ditë para se protestat e zemërimit ndaj qeverisjes së tij të merrnin përmasë më të gjerë.