Lufta në Ukrainë, SHBA shqyrton mundësinë e dërgimit të këshilltarëve ushtarakë drejt Kievit

Shtetet e Bashkuara mund të dërgojnë këshilltarë ushtarakë shtesë në ambasadën e saj në Kiev, me qëllim këshillimin dhe mbështetjen e qeverisë dhe ushtrisë ukrainase, tha për Zërin e Amerikës të hënën zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral major Pat Ryder.

Sipas tij, trupat do të kishin rol civil.

“Përgjatë konfliktit, Departamenti i Mbrotjes ka rishikuar dhe ristrukturuar praninë tonë në vend, pasi kushtet e sigurisë kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Aktualisht, po shqyrtojmë mundësinë e dërgimit të këshilltarëve shtesë me qëllim zgjerimin e Zyrës për Bashkëpunim në Mbrojtje në ambasadë”, tha zoti Rayder përmes një deklarate.

Dy zyrtarë të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, të cilët folën në kushte anonimiteti pasi nuk ishin të autorizuar të shpreheshin publikisht mbi planet pa u finalizuar, thanë se numri i kërshilltarëve pritet të jetë “i vogël” dhe mund të variojë bazuar në kërkesat e ambasadës. Një burim që është në dijeni të çështjes tha se numri i trupave është “më pak se 24”.

Trupat do të kishin rol këshilluar për një sërë çështjes, nga logjistika, mirëmbajtja, komunikimi dhe masat për sigurimin e personelit dhe logjistikës për të përballuar operacionet ushtarake në terren.

Për Pentagonin, Zyra për Bashkëpunim në Mbrojtje luan rol këshillues në disa sektorë, mbështet misionet diplomatike dhe është pjesë e struktures së ambasadës së Shteteve të Bashkuara, në varësi të ambasadorit.

Gazeta “Politico” ishte e para që raportoi se po shqyrtohej mundësia e shtimit të këshiltarëve.

Diskutimet e fundit në Pentagon vijnë pasi Dhoma e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara miratoi të shtunën ndihmën ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.

Paketa parashikon 61 miliardë dollarë për forcat ukrainase që po luftojnë kundër agresionit rus, 26 miliardë për Izraelin dhe ndihmën humanitare për civilët në zonat e konfliktit, përfshirë Gazën, si dhe 8 miliardë dollarë për rajonin e Indo-Paqësorit.

Përmes një deklarate të shtunën, Presidenti Joe Biden i bëri thirrje Senatit që “t’ia dërgojë sa më pare projektligjin, që ai të mund ta firmos duke e kthyer në ligj, me qëllim dërgimin me shpejtësi të armatimeve dhe pajisjeve ushtarake në Ukrainë në mënyrë që të plotësohen nevoja urgjente në fushën e betejës”.

Ai tha se me miratimin e projektligjit u mbështetën interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe u dërgua një “mesazh i qartë për fuqinë udhëheqëse të Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare”./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com