Lufta kundër Hamasit në Rripin e Gazës po i vjen fundi. Është kjo deklarata e bërë nga Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, për mediat izarelite. Por, sipas Netanyahut, lufta nuk do të përfundojë deri në momentin kur grupi islamik militant të mos ketë më në kontroll enklavën palestineze.
“Nëse ka një marrëveshje, do të jetë një marrëveshje sipas kushteve tona, dhe kushtet tona janë që të mos përfundojmë luftën, të largohemi nga Gaza dhe ta lëmë Hamasin ashtu siç është. Unë refuzoj ta lë Hamasin ashtu siç është. Duhet ta eliminojmë”.
Më tej, Netanyahu shtoi se, pasi të kenë përfunduar luftimet intensive në Gaza, Izraeli do të jetë në gjendje të vendosë më shumë forca përgjatë kufirit verior me Libanin, ku luftimet me Hezbollahun e mbështetur nga Irani janë përshkallëzuar.
“Pasi të përfundojë faza intensive, ne do të kemi mundësinë të zhvendosim një pjesë të forcave në veri. Dhe këtë do ta bëjmë. Para së gjithash për qëllime mbrojtëse. Dhe së dyti, për të sjellë banorët tanë në shtëpi. Nëse mundemi, ne do ta bëjmë këtë në mënyrë diplomatike, do ta bëjmë në një mënyrë tjetër, por do t’i sjellim të gjithë banorët në shtëpi”, shtoi Netanyahu.
Ndërkohë 8 palestinezë janë vrarë si pasojë e një sulmi ajror izraelit në një kolegj stërvitor pranë qytetit të Gazës që përdorej për shpërndarjen e ndihmave, ndërsa tanket izraelite vijonin më tej ofensivën në qytetin jugor të Rafahut.
Ushtria izraelite fajëson militantët e Hamasit për përdorim të civilëve për qëllime ushtarake duke i nxjerrë në vijën e luftës por kjo e fundit e mohon një fakt të tillë. Sakaq, rritja e rrezikut për një luftë totale midis Izraelit dhe Hezbollahut në kufirin me Libanin, ka shtuar shqetësimet tek Shtetet e Bashkuara, të cilat besojnë se në rast të një përshkallëzimi, Irani do të jetë pjesë e konfliktit si sponsorizuesi kryesor i Hezbollaut nëse ekzistenca e këtij të fundit kërcënohet.
Gjenerali i Forcave Ajrore Amerikane, Chalres Brown, nuk parashikoi hapat e ardhshëm të Izraelit dhe pranoi të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur. Por ai paralajmëroi se një ofensivë e Libanit “mund të nxisë potencialin për një konflikt më të gjerë rajonal”.
Brown vuri në dukje se ShBA mund të jenë më të kufizuara në aftësinë e tyre për të mbrojtur Izraelin nga sulmet e Hezbollahut, kjo pasi distance midis Izraelit dhe Libanit është shumë e shkurtër.
/a.r