Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka vlerësuar punën e bërë nga institucionet në këtë 6 mujor të parë të 2024 lidhur me marrjen masave dhe politikave për të luftuar pastrimin e parave.
Balluku tha se në foks të takimit ishte pikërisht miratimi i strategjisë për luftën ndaj pastrimit të parëve por edhe plotësimit të kërkesave të BE dhe MONEYVAL për të ruajtur trendin pozitiv të vlerësimit.
Gjithashtu këto politika janë edhe pjesë e kërkesave të BE për të përfituar nga granti 1.5 milionë euro të planit të rritjes për Ballkanin perëndimor.
“Miratimi i Strategjisë është një nga masat që duhet të përmbushim në kuadër të axhendës së Reformave si pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Miratimi i kësaj Strategjie do të sjellë përfitimin padyshim për Shqipërinë me vlerë modeste, por që është domethënëse pasi konsolidon procesin. Është një grant prej 1.5 milionë euro të cilat akordohen në kuadër të Planit të Rritjes. Në zbatim të detyrave të lëna nga Komiteti, është i nevojshëm angazhimi i vazhdueshëm i institucioneve që Ju drejtoni për realizimin e planeve të veprimit që janë pjesë e vlerësimit të MONEYVAL dhe të vlerësimit nga Komisioni Evropian, por edhe sigurisht për përfitimin e grantit i cili na akordohet në kuadër të planit të rritjes dhe ruajtjen e trendit pozitiv të vlerësimit që tashmë e kemi konsoliduar. Të vazhdojmë për të rritur nivelin dhe cilësinë e kërkesave që na janë vënë nga Bashkimi Europian, por dhe nga MONEYVAL, ashtu siç nxorëm edhe vendin nga lista gri”, tha Balluku.
Një tjetër vlerësim i ministres Balluku ishte edhe forcimi i partneritetin me privatin për plotësimin edhe më të madh të kësaj strategjie.
“Në hartimin e Strategjisë, një vëmendje të veçantë i është dhënë bashkëpunimit të ngushtë me sektorin privat, si bankat, noterët, audituesit, ndërmjetësusesit, zyrat e këmbimit valutor, shoqatat e ndërtuesve, të cilët janë angazhuar plotësisht në procesin e hartimit të këtij dokumenti dhe konsultimit të kësaj strategjie në publik.Vlen të theksohet se përfaqësuesit e sektorit privat janë anëtarë të Grupit Teknik Ndërinstitucional të Punës, i cili është ngritur me vendim të këtij Komiteti në Dhjetor të vitit 2023 dhe është një dëshmi e rëndësisë që i kemi dhënë forcimit të partneritetit me sektorin privat, duke u bërë një nga vendet e para në rajon dhe më gjerë padyshim që ka konsoliduar këtë formë partneriteti. Dokumenti i Strategjisë që është paraqitur për miratim është përqëndruar në 6 objektiva madhore të cilat do të përmbushen nëpërmjet masave të detajuara të Planit të Veprimit që shoqëron këtë strategji”, tha Balluku.
/a.r