Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, po vijon turin e tij elektoral në Shkodër, në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ai mori pjesë sot (25 prill) në prezantimin e projektit të rilindjes se plotë të shkollës “Ismail Qemali”. Kreu i mazhorancës u shpreh në llogarinë e tij personale në Facebook se “ky institucion arsimor do bëhet një institucion arsimor i hapur për komunitetin dhe krijimin e mjediseve të përshtatshme për edukim, arsimim në kushte bashkëkohore dhe zhvillim të aktiviteteve të ndryshme në shërbim të nxënësve”.
Gjatë takimit u bë edhe prezantimi i projektit për ngritjen e këtij institucioni arsimor. Rama ishte i shoqëruar edhe nga kryebashkiaku Benet Beci dhe përfaqësues të tjerë vendorë dhe qendrorë.
“Kjo shkollë është krijuar pak muaj pas shpalljes së pavarësisë. Pra kjo shkollë ka lindur nga njerëz patriotë, njerëz që i kanë dhënë Shkodrës para shumë qyteteve të tjera të Shqipërisë, një dritë dije, dashurie për kulturën, që për fat të keq ka ardhur duke u zbehur dhe tretur posaçërisht dekadat e fundit. Këtu është vendosur një gur themeltar i historisë së qytetit, dijes, kulturës, vendit, Shkodrës dhe qytetarisë”, u shpreh Rama në fjalën e tij hyrëse.