Me më shumë se një orë vonesë ka nisur seanca për emërimin e Talat Xhaferit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Në seancë të pranishëm janë parë deputetët të pozitës, por edhe në numër i madh i atyre të opozitës.
Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptar, ai do të ketë mandat për 100 ditë, pasi është një qeveri teknike që do të udhëheq.
Më herët në një deklaratë për mediet, Talat Xhaferi, ka folur për mundësinë e vazhdimit të emërimit të shqiptarëve në pozita drejtuese.
Talat Xhaferi, në ditën e votimit si kryeministër i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se nuk ekzistojnë fjalë mjaftueshëm të fuqishme që e përshkruajnë kontributin e Ali Ahmetit në ndërtimin e historisë bashkëkohore të Maqedonisë së Veriut.
Në llogarinë e tij në Facebook, Xhaferi ka shkruar se sot jemi dëshmitarë edhe një ditë historike për shqiptarët.
“Njeriu mbahet mend për veprat që i lë në trashëgimi për gjeneratat e ardhshme dhe rrugët që i trason në histori. Nuk ekzistojnë fjalë mjaftueshëm të fuqishme që e përshkruajnë kontributin dhe vizionarizmin Ali Ahmeti në ndërtimin e historisë bashkëkohore të shtetit tonë. Sot jemi dëshmitarë të edhe një dite historike për ne!”, ka shkruar ai.
/a.r