Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, mbërriti sërish të mërkurën në kryesinë e Kuvendit, ku është thërritur të dëshmojë në Komisionin Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi.
Mbetet për t’u parë nëse ish-ministri, i cili qëndron në paraburgim me urdhër të SPAK, do të mund të dëshmojë sot. Të martën, kjo iu pamundësia për shkak të debateve mes socialistëve dhe demokratëve mbi një kërkesë të Beqajt për të bërë një prezantim paraprak mbi punën e tij si ministër. Sipas PD, ai duhet të bënte vetëm një deklaratë, ndërsa socialistët kërkuan që t’i jepej kjo mundësi para se të nisnin pyetjet.
Për më shumë se 4 orë, Ilir Beqaj qëndroi si spektator në sallë, duke dëgjuar replikat në seri mes anëtarëve të komisionit që hera-herës ishin të tensionuara. Në debat u përfshi dhe ish-ministri, të cilit ende zyrtarisht nuk i ishte dhënë fjala. “Mos më thuaj mua i shkreti. Nuk dua asnjë konsideratë personale nga ju”, i tha Beqaj kryetares së komisionit Albana Vokshi.
Mungesa e dakordësisë detyroi disa herë kryetaren e komisionit Albana Vokshi që të ndërpriste mbledhjen, por as pushimet e gjata nuk sollën reflektim. “Mua më vjen keq që e nxorët atë të shkretin nga burgu, me pranga në duar, vetëm për të bërë show. Ju nuk doni dëshmi sepse doni të fshihni vjedhjet e të rritet korrupsioni. E sotmja ishte skenar i përgatitur”, deklaroi Vokshi.
Ndërkohë, anëtarët e opozitës në Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi nuk tërhiqen nga qëndrimi i tyre për të thirrur për të dëshmuar për këtë çështje kryeministrin Edi Rama dhe Vilma Nushin.
Ata kanë firmosur dokumentin ku kërkojnë këtë të mërkurë të dëshmojë Edi Rama në cilësinë e Kryeministrit i cili ka firmosur VKM-në për dhënien me koncesion të këtyre shërbimeve.
Po ashtu kërkohet thirrja si dëshmitare po këtë të mërkurë edhe e zonjës Vilma Nushi në cilësinë e pronares së dy kompanive e cila është pjesë e një prej koncesioneve objekt i veprimtarisë hetimore të këtij Komisioni.
Sipas anëtarëve të opozitës refuzimi i përsëritur nga ana e anëtarëve të mazhorancës në këtë Komision, për të thirrur Ramën dhe Nushin është tërësisht në kundërshtim me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i takon Ligjit për Komisionet Hetimore dhe ligjet në fuqi.
/a.r