Lihet në fuqi ligji ekstrem! Teksasi mund t’i arrestojë dhe burgosë emigrantët

Gjykata Supreme në Shtetet e Bashkuara kanë lënë në fuqi një ligj në Teksas, të mbështetur nga republikanët, që u mundëson autoriteteve t’i arrestojnë dhe burgosin personat që kalojnë ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë.

Kështu, Gjykata Supreme e përbërë prej 6 konservatorëve dhe 3 liberalëve e ka refuzuar kërkesën e administratës së presidentit amerikan Joe Biden, derisa çështjet që lidhen me statutin e ligjit të procedohen në gjykatat tjera.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott e ka nënshkruar ligjin në dhjetor të vitit të kaluar, duke i autorizuar autoritetet për zbatim të ligjit që t’i arrestojnë personat e dyshuar për hyrje në SHBA në mënyrë të paligjshme dhe u jep zyrtarëve lokalë kompetencat që deri më tani i ka pasur qeveria amerikane. Meksika ka refuzuar të pranojë çdo emigrant të deportuar nga Teksasi sipas ligjit të ri.

Një gjykatës federal muajin e kaluar bllokoi përkohësisht ligjin e miratuar nga shumica republikane në legjislaturën e shtetit të Teksasit duke thënë se bie në konflikt me dispozitat kryesore të ligjit federal të imigracionit.

Grupet e të drejtave kanë paralajmëruar se ligji rrezikon të drejtat e azilkërkuesve. Unioni Amerikan i Lirive Civile e quajti një nga ligjet më ekstreme kundër emigrantëve të miratuar ndonjëherë në SHBA.

Kalimi i paligjshëm i kufirit amerikan është tashmë një krim federal, por shkeljet zakonisht trajtohen si çështje civile nga sistemi i gjykatave të imigracionit. Sipas këtij ligji dënimet për hyrje të paligjshme ose rihyrje në Teksas variojnë deri në 20 vjet burg. Abbott ka deklaruar se ligji është i domosdoshëm për shkak të dështimit të Bidenit për t’i zbatuar ligjet federale që e bëjnë vepër penale hyrjen ose rihyrjen ilegale brenda shtetit.

Republikanët kanë kritikuar mënyrën e trajtimit të kufirit SHBA-Meksikë nga Biden, gjë që sondazhet sugjerojnë se është një shqetësim kryesor për votuesit përpara zgjedhjeve të nëntorit në Shtëpinë e Bardhë. Një sondazh nga Gallup i publikuar në shkurt tregoi se gati një e treta e amerikanëve besojnë se emigracioni është problemi i vetëm më i madh me të cilin përballej vendi përpara qeverisë, ekonomisë dhe inflacionit.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com