Deputetetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, mbajti një deklaratë për media në përfundim të seancës plenare, ku tha se qeveria miratoi këtë të enjte në parlament ligjin e zonave të mbrojtura. Sipas saj, ky ligj i hap rrugën ndërtimeve të strukturave akomoduese në zonat e mbrojtura me ligj.
Tabaku theksoi se kalimi i projektligjit dëshmon kapjen e parlamentit, shkeljen e procedurës ligjore dhe mosruajtjen e balancës në parlament, pasi sipas saj ndryshimet u paraqitën vetëm një ditë më parë nga qeveria.
“Sot paralmenti votoi një tjetër ligj që është në shërbim të pakicës. Ligji i zonave të mbrojtura është shembulli më i mirë se si kanë operuar këto 10-vite, si operojnë dhe sot. I morën dhe i përdorën 12 deputetë të PS që sollën një ligj, i cili ishte në shkelje të direktivave të Bashkimit Evropian. Qeveria solli një vendim komplet tjetër. Me ligjin e miratuar tashmë në zonat e mbrojtura do të jepen investime strategjike, struktura akomoduese, hotele me 5 yje. Kjo gjë ndodhi dhe me ligjin e investimeve strategjike, propozoi zoti Shalsi një shtyrje dhe ditën e djeshme qeveria solli një ndryshim të këtij ligji. Nëse flasim për parlamentin e kapur, për shkeljen e procedurës ligjore, për mosruajtjen e balancës në parlament, ky është shembulli më i mirë”, tha Tabaku.
/f.s