Ligji i ri për Arbitrazhin, Manja: Lehtëson biznesin dhe qytetarët, i zgjidhim mosmarrëveshjet jashtë dyerve të gjykatave

Ligji i ri për Arbitrazhin do të lehtësojë marrjen e drejtësisë për qytetarët dhe biznesit duke shmangur burokracitë që kanë ekzistuar deri më tani. Prezantimi i këtij ligji u përshëndet edhe nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili tha se ndryshimet do të kenë më pak kosto dhe kohë për qytetarët.

Ministri Manja tha gjithashtu se ligji i ri për Arbitrazhin do të lehtësojë edhe të bërit biznes në Shqipëri dhe përthithjes së investimeve, pasi mosmarrëveshjet do të zgjidhen jashtë dyerve të gjykatave.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi se ky projektligj i jep mundësinë që biznesi t’i zgjidh mosmarrëveshje mes shteti dhe privatit apo dhe përmes njëri tjetrit në autonominë e vullnetit të palëve, është një zgjidhje e shpejtë, eliminon formalitetet.

“Ligji i ri për Arbitrazhin është një nga ligjet më të rëndësishme që miratuam në 2023 dhe është një gur themeli drejt një sistemi ligjor modern. Miratimi i këtij ligji i pajis qytetarët me një hapësirë ligjore të re për të mos ndenjur pas dyerve të gjykatave, por për ta gjetur atë në pak kohë dhe me pak kosto.

Me garancinë për neutralitet dhe shmangien e burokracive të Arbitrazhit, ligji i do të lehtësojë edhe të bërit biznes në Shqipëri. Busulla jona ka qenë konsolidimi i vazhdueshëm i reformës në drejtësi në hartimin e këtij ligji.

Ky instrument ligjor ofron një alternative reale dhe të besueshme të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve jashtë dyerve të gjykatës. Ky instrument do të marrë vërtet vlerë përmes punës të gjithsecilit prej nesh”, tha Manja.

Çfarë parashikon Ligji i ri për Arbitrazhin

Trupa e arbitrave

Gjykata e arbitrazhit përbëhet nga një arbitër i vetëm ose nga një trup gjykues arbitrash, sipas përcaktimit të marrëveshjes së arbitrazhit. Në rastet kur marrëveshja e arbitrazhit përcakton shqyrtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes nga një trup gjykues arbitrash, palët janë të lira të përcaktojnë numrin e arbitrave, me kusht që numri i arbitrave të jetë një numër tek. Në rast se në marrëveshjen e arbitrazhit nuk përcaktohet numri i arbitrave dhe palët nuk bien dakord për të, numri i arbitrave do të jetë tre.

Pr/ligji përcakton edhe kushtet e emërimit të arbitrit

Procedura e emërimit të arbitrave përcaktohet nga palët në marrëveshjen e arbitrazhit. Në rast se në marrëveshjen e arbitrazhit nuk përcaktohet procedura e emërimit të arbitrave apo palët nuk bien dakord për të, arbitrat emërohen sipas parashikimit të nenit 15 të këtij pr/ligji.

Në rast se palët kanë rënë dakord që procedura e arbitrazhit organizohet nga një institucion i përhershëm arbitrazhi, arbitrat ose arbitri i vetëm, sipas përcaktimit të marrëveshjes së arbitrazhit ose këtij ligji, emërohet nga lista e arbitrave në përputhje me rregullat procedurale të institucionit të përhershëm të arbitrazhit, duke u bazuar në parimin e barazisë së palëve.

Në rast se palët kanë rënë dakord për zgjidhjen e mosmarrëveshjes nëpërmjet arbitrazhit ad hoc, secila palë ka të drejtë të emërojë një arbitër, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga fillimi i procedurës së arbitrazhit. Të dy arbitrat, me marrëveshje, emërojnë arbitrin e tretë, i cili është njëkohësisht edhe kryesuesi i trupit gjykues të arbitrave, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e emërimit të tyre. Në rast se gjykata e arbitrazhit përbëhet nga një arbitër i vetëm, palët duhet të emërojnë arbitrin e vetëm brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga fillimi i procedurës të arbitrazhit.

Përveç nëse palët kanë rënë dakord ndryshe, pala, e cila ka emëruar arbitrin dhe ka njoftuar palën tjetër për emërimin e tij, nuk mund të zëvendësojë ose të shkarkojë arbitrin, pa pëlqimin e palës tjetër.

Në nenin 6 thuhet se gjykata e rrethit gjyqësor të vendit të arbitrazhit emëron arbitrin, sipas këtij neni, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës, përveç rastit kur marrëveshja e arbitrazhit nuk ekziston ose është haptazi e pavlefshme. Gjykata, përpara emërimit të arbitrit, merr edhe mendimin e palëve.  Kundër vendimit të gjykatës për emërimin e arbitrit nuk lejohet ankim.

Pr/ligji parashikon dhe juridiksionin e gjykatës së arbitrazhit, rregullat, fillimin e procedurës së arbitrazhit deri tek  vendimi i gjykatës së arbitrazhit që është përfundimtar dhe i formës së prerë në lidhje me marrëveshjen e shqyrtuar, që nga data e shpalljes.

Neni 40 parashikon që palët kanë të drejtë që, gjatë zhvillimit të procedurës së arbitrazhit, të përpiqen të zgjidhin mosmarrëveshjen me mirëkuptim.

Kur palët zgjidhin mosmarrëveshjen me mirëkuptim, i paraqesin gjykatës së arbitrazhit marrëveshjen e tyre për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Kjo marrëveshje, me kërkesë të palëve, miratohet me vendim të gjykatës së arbitrazhit.

Procedura e arbitrazhit përfundon kur gjykata e arbitrazhit merr një vendim përfundimtar për zgjidhjen në themel të çështjes ose kur vendos pushimin e gjykimit, për një nga shkaqet e përcaktuara në pikën 2 të nenit 41.

Mjeti për t’u ankuar ndaj një vendimi të gjykatës së arbitrazhit është vetëm kërkesa për anulimin e vendimit të gjykatës së arbitrazhit. Kërkesa për anulimin e vendimit të gjykatës së arbitrazhit paraqitet në gjykatën e apelit me juridiksion të përgjithshëm.

Ekzekutimi

Ekzekutimet e venddimit të gjykatave të arbitrazhit, kur vendi i arbitrazhit është në Republikën e Shqipërisë, përbëjnë titull ekzekutiv dhe vihen në ekzekutim pas nxjerrjes së urdhrit të ekzekutimit nga gjykata, në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile.

Neni 22 parashikon juridiksionin e gjykatës së Arbitrazhit në Shqipëri

  1. Gjykata e arbitrazhit ka të drejtë të marrë në shqyrtim dhe të vendosë nëse mosmarrëveshja në shqyrtim është në juridiksionin e saj, si dhe të përcaktojë vlefshmërinë e marrëveshjes së arbitrazhit.
  2. Pretendimi për mungesën e juridiksionit të gjykatës së arbitrazhit duhet të parashtrohet, jo më vonë se data e dorëzimit të deklaratës së mbrojtjes. Palët kanë të drejtë të parashtrojnë pretendime për mungesën e juridiksionit të gjykatës së arbitrazhit edhe nëse kanë emëruar ose kanë marrë pjesë në emërimin e një arbitri. Pretendimi që gjykata e arbitrazhit ka tejkaluar juridiksionin duhet të parashtrohet në të njëjtin moment kur çështja, që pretendohet të jetë jashtë juridiksionit të gjykatës së arbitrazhit, paraqitet për shqyrtim përpara gjykatës së arbitrazhit. Gjykata e arbitrazhit mund ta pranojë pretendimin për tejkalimin e juridiksionit edhe kur nuk paraqitet në të njëjtin moment me paraqitjen e çështjes para gjykatës së arbitrazhit, me kusht që të paraqitet brenda 30 ditëve nga paraqitja e çështjes për shqyrtim në gjykatën e arbitrazhit dhe provohet se vonesa ka qenë për shkaqe të arsyeshme.
  3. Gjykata e arbitrazhit, në rastet kur çmon që ka juridiksionin për shqyrtimin e mosmarrëveshjes, vendos rrëzimin e kërkesës me vendim të ndërmjetëm. Ndaj vendimit të ndërmjetëm, palët mund të bëjnë ankim në gjykatën e rrethit gjyqësor të vendit të arbitrazhit, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga njoftimi ose marrja dijeni për vendimin e rrëzimit të kërkesës. Gjykata shqyrotn kërkesën, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga depozitimi i saj dhe, pasi thërret e dëgjon palët, vendos për pranimin ose rrëzimin e ankimit.
  4. Shqyrtimi i ankimit, sipas pikës 3, të këtij neni, nuk pezullon procedurat e arbitrazhit ose marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata e arbitrazhit.

Vendimet e një gjykate arbitrazhi jashtë Republikës së Shqipërisë

Ndërsa neni 47 parashikon njohjen e vendimit përfundimtar të një gjykate arbitrazhi jashtë Republikës së Shqipërisë dhe rastet për refuzimin e njohjes se këtij vendimi

  1. Njohja e vendimit përfundimtar të një gjykate arbitrazhi jashtë Republikës së Shqipërisë bëhet në përputhje me rregullat e përcaktuara në Konventën për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja të Arbitrazhit të Nju Jork-ut, 10 qershor 1958, e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë me ligjin nr.8658, datë 9.11.2000, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja të Arbitrazhit””, si dhe Kodin e Procedurës Civile.
  1. Shkaqet për refuzimin e njohjes së vendimit përfundimtar të arbitrazhit të një shteti të huaj përfshijnë rastet kur:
  2. a) sipas dispozitave që janë në fuqi në Republikën e Shqipërisë, mosmarrëveshja nuk mund të jetë në juridiksionin e gjykatës së arbitrazhit që ka dhënë vendimin;
  3. b) palët në marrëveshjen e arbitrazhit, në bazë të ligjit të zbatueshëm për to, nuk kishin zotësi të plotë për të vepruar, ose marrëveshja në fjalë nuk është e vlefshme sipas ligjit, të cilit i janë nënshtruar palët ose mungon ndonjë përcaktim sipas ligjit të vendit ku është dhënë vendimi ose palës kundër së cilës jepet vendimi;
  4. c) kërkesëpadia nuk i është njoftuar palës tjetër në mungesë, në mënyrë të rregullt e në kohë, për t’i dhënë atij mundësi që të mbrohet apo nuk i është dhënë njoftimi i rregullt për caktimin e arbitrit ose të procedurës së arbitrazhit ose pala ka qenë e paaftë për të paraqitur rastin e saj;

ç) vendimi trajton një mosmarrëveshje të paparashikuar në marrëveshjen për arbitrazh ose nuk hyn në klauzolën për arbitrazhin ose përmban vendime për çështjet që tejkalojnë fushën që i nënshtrohet arbitrazhit; Megjithatë në qoftë se vendimet për çështje që i nënshtrohen arbitrazhit mund të veçohen nga ato që nuk i janë nënshtruar, ajo pjesë e vendimit, e cila përmban vendime për çështje që i nënshtrohen arbitrazhit, mund të njihet dhe të ekzekutohet;

  1. d) përbërja e autoritetit të arbitrazhit ose e procedurës së arbitrazhit nuk ishte në përputhje me marrëveshjen e palëve ose mungon një marrëveshje e tillë;
  2. dh) gjykata konstaton se:
  3. objekti i mosmarrëveshjes nuk mund të zgjidhet me arbitrazh sipas legjislacionit shqiptar;
  4. ekzekutimi i vendimit do të ishte në kundërshtim me rendin publik.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com