Një ngjarje e rëndë është regjistruar të enjten në mesditë në autostradën Lezhë-Tiranë, ku tre persona dyshohet se kanë dhunuar dhe më pas kanë marrë peng shtetasin, Dod Gjoka.
Policia e Lezhës bëri të ditur se rreth orës 14:30, në vend-parkimin e automjeteve të një lokali në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, dyshohet se gjatë një konflikti fizik, tre shtetas kanë dhunuar dhe më pas kanë marrë me forcë në automjet, shtetasin Dod Gjoka., rreth 35 vjeç, banues në Lezhë.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së Lezhës kanë ngritur pika kontrolli në perimetrin rrethues dhe në akset lidhëse, me qëllim kapjen e autorëve, të cilët janë identifikuar nga policia. Ata janë konkretisht shtetasit: K. P., B. V. dhe Xh. E., të tre banues në fshatin Tresh. Gjithashtu, u ngritën pika kontrolli në akset rrugore drejt Tiranës, Shkodër dhe Kukësit.”, informon policia.
Sipas uniformave blu, si rezultat i reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe të gjendur nën presionin e kontrolleve intensive të Policisë, autorët dyshohet se e kanë zbritur nga automjeti, shtetasin D. Gj., i cili aktualisht po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Lezhës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
“Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit. Ndërkohë, vijojnë kontrollet intensive për kapjen e autorëve.”, njofton policia.