Satelitët, të 59-ët dhe të 60-ët në familjen e BeiDou, u lëshuan në orën 9:14 të mëngjesit sipas orës lokale. Ata u dërguan në orbitë me një raketë Marshim i Madh-3B, nga Qendra e Lëshimit Satelitor Xichang në Sichuan të Kinës jugperëndimore.
Dy satelitët e orbitës së mesme të Tokës (MEO) do të rrisin besueshmërinë e sistemit. Ato do të përmirësojnë shërbimet e pozicionimit, navigimit, kohës si edhe komunikimit me mesazhe të shkurtra për përdoruesit globalë, siç raportohet nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG).
Përveç satelitëve rezervë, BDS-3 operon gjithsej edhe 30 satelitë në rrjet në orbitë, shumica e të cilëve janë në shërbim prej gjashtë vjetësh. Pjesa më e madhe janë projektuar për një jetëgjatësi 10 vjeçare, ndaj studiuesit po planifikojnë një përmirësim në vendosjen e satelitëve të rinj.
Do të hyjmë në dislokimin e BDS-4 me dy satelitët që shërbejnë si shtesat e fundit në BDS-3, tha për CMG Liu Yingchun, projektuesi kryesor i BDS-3. Ndaj, përveç operacioneve të rregullta, satelitët do të kryejnë gjithashtu verifikim teknik dhe eksplorim në yjësi, shtoi Liu.
Kina ka përcaktuar një strategji zhvillimi me tre hapa për sistemin e saj të navigimit BeiDou. Hapi i parë për të ofruar shërbime për përdoruesit vendas, i dyti për zgjerimin e shërbimeve në rajonin e Azi-Paqësorit dhe i treti për ofrimin e shërbimeve në nivel global.
Ndërtimet e BDS-1 dhe BDS-2 përfunduan përkatësisht në vitet 2000 dhe 2012. Pas përfundimit dhe vënies në shërbim të BDS-3 në korrik 2020, Kina u bë vendi i tretë që kishte një sistem satelitor global navigimi të pavarur.
Kina planifikon që deri në vitin 2025 të ndërtojë një sistem konstelacioni me orbitë të ulët, duke u mbështetur në BDS, në një përpjekje për të realizuar ndarjen globale të shërbimeve të pozicionimit në nivel centimetri.
Ndërkohë, duhen adresuar problemet teknike që lidhen me sinjalet e navigimit dhe ndërhyrjet, për të realizuar navigimin në hapësirën nënujore, të brendshme dhe të thellë .