Zbardhet arsyeja e arrestimeve në Sarandë, hoteli 7 katësh i Drejtorit u ndërtua pa leje dhe u legalizua
Mësohet se ka qenë procedura e legalizimit në mënyrë të paligjshme të një hotelit shtatë katësh në lagjen nr.4 të Sarandës shkaku që çoi në lëshimin e 11 urdhër arresteve nga prokuroria.
Bëhet me dije se hoteli është në pronësi të ish-kreut të ALUIZNI-t Mariel Murati, në breg të detit dhe është legalizuar në mënyrë të paligjshme.
Murati kishte marrë leje për rikonstruksionin e një objekti ekzistues të blerë nga ana e tij, por e kishte rrënuar të gjithin duke e ndërtuar pa leje nga fillimi e duke shtuar më shume kate se sa ekzistuesi.
Pas kësaj ai ka arritur ta legalizojë objektin pa leje, hotel i cili është vendosur dhe funksionon si i tillë prej rreth 2 vitesh. Të gjitha këto veprime kanë ndodhur pasi ai e kishte lënë detyrën e drejtuesit të ALUIZNI Sarandë dhe ishte emëruar në një detyrë tjetër drejtuese.
Prokuroria e Sarandës, në kuadër të procedimit penal nr. 37 të vitit 2024, regjistruar për veprën penale “shpërdorim i detyrës” dhe “ndërtim i paligjshem” parashikuar përkatësisht nga nenet 248 dhe 199/a të Kodit Penal, ka kërkuar dje ndalimin e 11 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve.
Nga operacioni policor janë arritur të kapen vetëm 8 prej tyre, konkretisht Ermen Stroka, me detyrë Specialist/inxhinier në Sektorin e Hartografisë pranë DVASHK Sarandë, Erald Lika, me detyrë Specialist/inxhinier në Sektorin e Hartografisë pranë DVASHK Sarandë, Ina Papa, me detyrë specialiste në Drejtorine vendore të DVASHK Sarandë, Viktor Qesari, me detyrë inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë, Tonin Simoni, me detyrë ish inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë, Oltion Durmishi, me detyrë inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë, Denis Balili, me detyrë ish specialist/inspektor në Sektorin e Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale IKMT Vlorë, Manushaqe Saliko, me detyrë ish specialiste/inspektore në Sektorin e Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale IKMT Vlorë.
3 personat e shpallur në kërkim janë Mariel Murati, pronar i hotelit e njëkohësisht ish-Drejtor i ALUIZNI Sarandë, aktualisht drejtor i FSDKSH Sarandë, Kozeta Statha, ish-Drejtore e ASHK Sarandë dhe Andri Dhima, ish-Drejtor i ASHK Sarandë.
Nga 11 personat për te cilët është lëshuar urdhër arresti, Dhima, Statha dhe Balili rezultojnë me masa sigurimi aktive edhe për cështje të tjera penale.
Mësohet se në qeli aktualisht ndodhen vetëm 6 prej të arrestuarve, pasi Ina Papa dhe Manushaqe Saliko janë lënë mbrëmë vonë të lira, në masë të lehtë sigurimi për shkak se rezultojnë nëna të reja me fëmijë të mitur.
Hoteli i Mariel Muratit ka qenë dy herë objekt i vendosjes së sasive të eksplozivit, në 9 shkurt 2021 dhe 29 qershor 2022, ngjarje ende të pazbardhura.
Njoftimi i prokurorisë
Tetë persona janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, pasi në kundërshtim me ligjin lejuan ndërtimin e një objekti 7-katësh, hotel, pranë vijës bregdetare në qytetin e Sarandës dhe proceduan me legalizimin tij. Ndërkohë që tre persona të tjerë janë ende në kërkim.
Të 11 të pandehurit, pjesë e procedimit penal nr.37 të vitit 2024, janë nën hetim për veprat penale ‘falsifikimi i dokumenteve”, “ndërtim i paligjshëm” dhe “shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 186, 199/a/4 dhe 248 të Kodit Penal.
Pas administrimit të provave në funksion të këtij procedimi penal, nga prokurori është urdhëruar ndalimi i 11 shtetasve me detyra dhe funksione te ndryshme shtetërore prej të cilëve është bërë i mundur ekzekutimi i ndalimit të 8 prej tyre të identifikuar si më poshtë;
E.S – Specialist/inxhinier në Sektorin e Hartografisë pranë DVASHK Sarandë;
E.L – Specialist/inxhinier në Sektorin e Hartografisë pranë DVASHK Sarandë;
- P – Specialiste ne Drejtorine vendore të Ashk Sarandë;
V.Q – Inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë;
- S – Inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë;
O.D – Inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë;
D.B – Specialist/inspektor në Sektorin e Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale IKMT Vlorë; dhe
M.S – Specialist/inspektor në Sektorin e Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale IKMT Vlorë
Nga policia gjyqësore vijon kërkimi për ndalimin edhe të tre shtetasve të tjerë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, po vijon veprimet hetimore për identifikimin dhe marrjen në përgjegjësi penale edhe të personave të tjerë të përfshirë në veprime të paligjshme dhe shkelje ligjore në ushtrim të detyrave shtetërore.
/a.r