Lavrov kërcënon SHBA-të: Po vijoi të ndihmojë Ukrainën, do ketë pasoja të mëdha

Kryediplomati rus Sergei Lavrov ka kërcënuar Shtetet e Bashkuar të Amerikës se do të përballet me pasoja të mëdha nëse vijojnë të ndihmojnë ushtarakisht Ukrainën dhe nuk pranojnë propozimin e Moskës për zgjidhjen e konfliktit.

Ministri i Jashtëm rus tha se Kremlini ofron një plan të zbatueshëm për t’i dhënë fund gjakderdhjes dhe rindërtimit të Ukrainës. Sipas tij, kjo do të sillte më shumë siguri edhe për vetë kontinentin evropian.

Gjithashtu, Lavrov akuzoi aleancën ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA se fillimisht mbolli farat e luftës një dekadë më parë dhe ka vijuar të ndezë flakët.

“Rusia është e hapur për një zgjidhje politiko-diplomatike që duhet të heqë shkaqet rrënjësore të krizës. Ai duhet të synojë t’i japë fund konfliktit në vend që të arrijë një armëpushim”, tha ai në një intervistë për “Newsweek”

Plani i Rusisë nënkupton që Ukraina të heqë dorë nga provincat kryesisht ruse të Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhias, të cilat u aneksuan zyrtarisht nga Moska pas një referendumi të kontestuar ndërkombëtarisht në shtator të vitit 2022, si dhe Krimenë, të pushtuar nga Rusia dhe të aneksuar përmes një votimi të ngjashëm në vitin 2014.

Gjithashtu, Kievi duhet të pranojë të braktisë përpjekjen për t’u bërë anëtar i NATO-s dhe të ndërmarrë hapa të tjerë, por që janë refuzuar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe mbështetësit e tij ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në.

Në vend të kësaj, Kievi dhe aleatët kërkojnë tërheqje të pakushtëzuar të Rusisë, ndërsa Moska ka thënë se një konflikt i përshkallëzuar e sjell NATO-n më afër një përplasjeje të drejtpërdrejtë me Rusinë, e cila zotëron stokun më të madh në botë të armëve bërthamore.

“Për momentin, me sa mund të shohim, rivendosja e paqes nuk është pjesë e planit të kundërshtarit tonë. Zelensky nuk e ka anuluar dekretin e tij për ndalimin e negociatave me Moskën. Uashingtoni dhe aleatët e tij të NATO-s ofrojnë mbështetje politike, ushtarake dhe financiare për Kievin në mënyrë që lufta të vazhdojë. Ata po diskutojnë autorizimin e AFU-së [Forcat e Armatosura të Ukrainës] për të përdorur raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi për të goditur thellë në territorin rus. Loja me zjarrin mund të çojë në pasoja të rrezikshme”, ka theksuar Lavrov.

Sipas Lavrovit, masat e kërkuara nga Moska përputhen me trajektoren e një bote që ndryshon me shpejtësi, në të cilën Rusia ka krijuar një partneritet të thellë me Kinën dhe ka forcuar lidhjet me vendet në zhvillim që kërkojnë një rol më të madh në skenën globale. Edhe pse Moska ka kosto, ai tha se Kievi dhe mbështetësit e tij do të humbasin më shumë në një luftë të gjatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com