Adriatik Lapaj ka bërë të ditur se do të padisë deputetin Agron Shehaj ditën e hënë për akuzën e shpifjes.
Lapaj ndërhyri në emisionin Opinion në Tv Klan ku ishte i ftuar Agron Shehaj, duke i dërguar një mesazh në celular drejtuesit të emisionit Blendi Fevziu, ku bëri me dije publikisht se denoncimi ndaj deputetit do të bëhet në fillim të javës së ardhshme.
Blendi Fevziu: Kam një reagim. Është z.Lapaj i cili më thotë: I thuaj z.Shehaj që ditën e hënë do të paditet për shpifje siç ia kam thënë. E dyta, për pikën e 1 lexo numrin e vendimit të Shkallës së Parë dhe atij të Apelit dhe krahaso a është e njëjta çështje? Thotë, unë nuk kam bërë asnjë procedurë dhe asnjë investim strategjik. Gënjen, do të duhet të provojë në gjykatë. Në çdo rast unë kam qenë avokat mes palëve private, investitorëve dhe pronarëve. Në asnjë rast nuk ka procedurë që unë të kem kryer veprime me shtetin. Për pikën e tretë, avokati përfaqësohet sipas ligjit.
Agron Shehaj: Konfirmoi atë që thashë unë. Që po gënjen, unë nuk thashë që ai ka kryer investim strategji, unë thashë që ai ka qenë ndërmjetës për një investitor strategjik. Ka ndihmuar një investitor strategjik që të shpallet investitor strategjik. Unë nuk po them që ai duhet të shkojë në burg për këtë gjë, po them që nuk është normale që dikush që hiqet si i kulluar dhe do luftojë korrupsionin e vjedhjet, është i përfshirë në të paktën 5 raste ku ke ose vjehrrin që ka dhënë vendimin, ose ky që ka mbrojtur në Shkallë të Dytë vendimin që ka marrë vjehrri, ose ka ndihmuar një investitor të shpallet investitor strategji, ose ka marrë lekë nga krimi i organizuar, ose ka bërë bashkë ata që kanë përfituar pronën ku në atë çështje ka qenë edhe vjehrri me krimin e organizuar. Këto për mua tregojnë që kemi të bëjmë me një njeri që është totalisht i zhytur.
Deputeti Shehaj akuzoi në Opinion Adriatik Lapajn duke thënë se “është e vështirë të gjesh një pronë në bregdet që s’ka futur hundët Adriatik Lapaj”, gjë që nxiti edhe reagimin e këtij të fundit.