Lamtumirë moratorium! Qeveria bën gati ligjin e ri: Zonat për gjueti do jepen me qira! Si do të funksionojë skema

Gjuetia do të ketë rregulla të reja, e kufizuar në disa zona që do të jenë me qira, me gjuetarë të licencuar, vetëm me armë dhe gjoba deri në 1.3 milionë lekë nëse nuk respektohet ligji. Këto janë kriteret e reja të përcaktuara në projektligjin e hedhur në konsultim Publik nga Ministria e Mjedisit, rreth 9 muaj para skadimit të afatit të moratoriumit të gjuetisë. Për herë të parë në vend do të ketë zona të caktuara ku do të lejohet gjuetia që do të propozohen nga ministria dhe miratohen me VKM.

Këto zona do të jepen me qira tek persona fizik ose biznese, përmes një konkurrimi publik, dhe afati i kontratës do të jetë 10 vite. Qiraja e zonës do të jetë sa 50% e vlerës së gjuetisë vjetore të kafshëve të egra e llogaritur sipas çmimeve të tregut. Por për fazën e konkurrimin do të caktohet një çmim tavan.

Këto zona do të jenë jashtë territorit të mbrojtur, nuk do të jenë më të vogla se 500 hektarë, ndërsa zonat për kultivimin e llojeve të faunës së egër objekt gjuetie, sipërfaqe jo më pak se 50 hektarë. Ato do të jenë 300 metra larg zonave të banuara, qendrave ekonomike, arsimore, sportive e fetare.

Statusi i zonës së gjuetisë do të hiqet për arsye të sigurisë kombëtare, nevoja të zhvillimit rural, kur ka keqpërdorim dhe kur nuk zbatohet kontrata me qiramarrësin.

Për gjueti do lejohen vetëm llojet e faunës së egër që jetojnë në gjendje të lirë në natyrë dhe që janë riprodhuar, lista e lejuar do të miratohet nga Ministria.

“Programi kombëtar i zhvillimit të gjuetisë pasqyron synimet dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të gjuetisë, metodat dhe rrugët për arritjen e tyre. Ai hartohet nga ministria për një periudhë 10-vjeçare dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit”, thuhet në projektligj.

Ndërkohë ndalohet gjuetia e llojeve të faunës së egër që mbrohen nga konventat ndërkombëtare, që janë të rralla, në rrezik zhdukjeje dhe i kategorive që janë pjesë e listës së mbrojtur. Gjuetia në këto kategori të ndaluara do të behet vetëm nëse ka mbiprodhim, ka situata pandemike apo prej tyre shkaktohen dëme, por për këto raste do të ketë autorizime nga ministri përgjegjës. Ndërsa do të ketë edhe vrasje emergjente të kafshëve nëse rrezikohet jeta e njerëzve.

Për herë të parë futet si praktikë edhe gjuetia për qëllime kërkimore-shkencore, ku në nenin 6 thuhet se edhe llojet e faunës që nuk janë objekt gjuetie mund të gjuhen për nevoja të punës kërkimore-shkencore por me aprovim të veçantë ministrie.

Për gjuetinë e ligjshme do të ketë edhe sezone të përcaktuara nga ministria.

“Gjuetia ushtrohet vetëm brenda sezonit të hapur për gjueti duke respektuar periudhën e riprodhimit derisa të vegjlit të ndahen nga nëna, dhe të folezimit derisa të vegjlit të mësojnë të fluturojnë, që përcaktohet sipas kritereve gjeografike, klimatike dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për gjuetinë. Për çdo vit, ministria publikon hapjen e sezonit të gjuetisë në faqen e saj zyrtare”, thuhet në projektligj.

Por kush do të gjuajë?

Gjuetarët duhet të jenë shtetas shqiptar mbi 25 vjeç, që ka armë gjahu me leje, kalon testin për të marrë lejen e gjuetarit si dhe është i padënuar për asnjë vepër penale e cila cenon jetën dhe shëndetin e njeriut. Sipas këtij ligji leja do jetë 5 vjeçare dhe gjuetia bëhet vetëm me armë dhe asnjë metodë tjetër. Për gjuetinë, gjuetari do të paguaj tek menaxhuesi i zonës.

I gjithë procesi do të monitorohet si dhe do të vendosen kufizime për sasinë e individëve që mund të vritet në mënyrë që të mos rrezikohet pakësimi masiv apo zhdukja e tyre. Kush nuk respekton rregullat e këtij ligji do të përballet me gjoba nga 200 mijë lekë deri në 1.3 milionë lekë në varësi të shkeljes.

Përmes këtij projektligji shfuqizohet ligji i moratoriumit që i mbaron afati në 27 gusht 2025, shfuqizohet ligji i 2010 për gjuetinë, ndërkohë rregullat e reja nëse miratohen hyjnë në fuqi më 1 gusht 2025.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

shqiptarja.com / a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com