“Lamtumirë Genciana Egro”, ndahet nga jeta studiuesja dhe pedagogia e njohur

Më datën 25 gusht 2024 është ndarë nga jeta në moshën 53-vjeçare studiuesja Genciana Abazi-Egro, e cila prej vitesh ishte punonjëse shkencore pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë (Akademia e Shkencave e Shqipërisë).

Lajmin përmes një njoftimi të trishtë e bëri publik Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave ku Genciana Abazi-Egro ishte anëtare.

Genciana Abazi-Egro ka qenë studiuese e afirmuar në fushë të gjurmimeve mbi tekstologjinë dhe orientalistikën, mbi letërsinë e divanit dhe figurat kryesore të rrymës letrare të autorëve që kanë shkruar me alfabet arab.

Genciana Egro është autore e dy botimeve të rëndësishme kritike të veprave të Nezim Beratit (2009) dhe Hasan Zyko Kamberit (2017), realizuar dhe dalë nga shtypi nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (Departamenti i Studimeve Letrare).

Genciana Egro është autore e një numri të konsiderueshëm shkrimesh dhe artikujsh shkencorë mbi autorë, dukuri e vepra që lidhen me letërsinë shqipe të shkruar me alfabet arab, por dhe drejtuese shkencore e disa punimeve doktorale të mbrojtura me sukses në shkollën e studimeve doktorale pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, Tiranë.

Një pjesë e mirë e artikujve të saj mbi këto fusha studimi janë të botuara në revistat “Studime filologjike” dhe “Studime historike”.

Nga janari i vitit 2017 ajo ka qenë dhe titullare e lëndëve Analizë Kritike e Ligjërimit dhe Semiotikë pranë Universitetit Europian të Tiranës. Largimi i saj nga jeta është një humbje e madhe për të afërmit e saj, po dhe për komunitetin shkencor të cilit ajo i përkiste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com