Lamtumirë ëndrrës olimpike, Erkand Qerimaj tërhiqet nga Botërori

Erkand Qerimaj nuk do të shkojë në Botërorin e Peshëngritjes në Tajlandë. Shqipëria kishte regjistruar fillimisht dy peshëngritës në Botëror, dy emra të mëdhenj që kanë bërë historinë e këtij sporti në vendin tonë, Briken Caljen dhe Erkand Qerimajn, të dy në kategorinë e peshave 73 kg edhe pse shkodrani në fakt prej kohësh garon në kategorinë 81 kg. Por në momentet e fundit Erkand Qerimaj ka njoftuar se nuk do të jetë në Kampionatin Botëror.

Pak përpara nisjes për në Tajlandë, peshngritësi kampion i Europës vendos të tërhiqet nëpërmjet një sms-je duke njoftuar Federatën Shqiptare të Peshngritjes se ishte sëmurë. Qerimaj bëri të ditur se nuk do të garojë për shkak të një viroze të stinës, ndërsa thotë se mjekët i kanë rekomanduar disa ditë pushim, pasi ka kaluar një ftohje. Tërheqja nga Botërori bën që peshëngritësi shqiptar të humbë kështu edhe shansin për të marrë pjesë në Paris 2024 që do të ishte edhe Olimpiada e tij e fundit.

Vendimi i Erkand Qerimajt ven pas një sërë akuzash ndaj Federatës Shqiptare të Peshëngritjes (FSHP) për mashtrim dhe fshehje rezultatesh. Mes akuzave ai deklaroi se FSHP nuk e ka regjistruar në Kupën e Botës që do zhvillohet në Tajlandë, turne që vlen për pikët e nevojshme për në Lojërat Olimpike të Parisit.

Shqipëria tashmë i ka të gjitha shpresat te Briken Calja, i cili pasi ka fituar betejën me rënien nga pesha, duke zbritur në kategorinë 73 kg, tashmë synon shkëlqimin në botëror dhe një biletë kualifikuese për në Olimpiadë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com