Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kompensuar faturën e ujit për kategoritë në nevojë.
Zv/kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh sot se, prej muajit mars 12,324 familje kanë përfituar kompensim të faturave.
Janë gjithsej 12.5 milionë lekë të kompensuara deri në muajin korrik.
Balluku theksoi se ka pasur 100% kompensim deri në sasinë 5 m³/muaj.
Qytetarët që i përkasin kategorive në nevojë mund të kontaktojnë Shoqëritë Ujësjellës-Kanalizime për informacion të mëtejshëm, shtoi zv/kryeministrja.
Sa i përket kategorive në nevojë që përfitojnë nga subvencionimi përfshihen familjet në nevojë që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme.
Jetimët të cilët nuk janë në institucionet e përkujdesjes shoqërore.
Prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë.
Viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre.
Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore.