Presidenti rus Vladimir Putin do të takojë në Moskë homologun e tij iranian këtë javë për nënshkrimin e një marrëveshjeje të gjerë partneriteti mes Rusisë dhe Iranit, tha Kremlini të hënën.
Marrëveshja për “partneritetin gjithëpërfshirës strategjik” midis vendeve do të nënshkruhet gjatë vizitës së presidentit iranian Masoud Pezeshkian në Moskë të premten, tha Kremlini.
Sipas Kremlinit, dy udhëheqësit do të diskutojnë planet për zgjerimin e tregtisë dhe bashkëpunimit në sektorët e transportit, logjistikës dhe ndihmës humanitare. Ata do të diskutojnë edhe mbi “çështjet e rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare”.
Ukraina dhe Perëndimi kanë akuzuar Teheranin se i ka dhënë Moskës qindra dronë për luftën në Ukrainë dhe po ndihmon përpjekjet për prodhimin e tyre në Rusi. Dërgesat e dronëve iranianë, të cilat Moska dhe Teherani i kanë mohuar, kanë ndihmuar Rusinë të sulmojë infrastrukturën e Ukrainës.
Irani, nga ana tjetër, dëshiron armë të sofistikuara ruse si sisteme të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë veprimi dhe avionë luftarakë për të ndihmuar në zmbrapsjen e sulmeve të mundshme nga Izraeli.
Presidenti iranian Pezeshkian do të vizitojë Moskën tre ditë përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili është zotuar se do të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje për konfliktin në Ukrainë.