Anthony Polito quhet personi i armatosur që hapi zjarr në kampusin e Las Vegasit të mërkurën dhe vrau të paktën tre persona, para se ai vetë të binte i vdekur gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë.
Sulmuesi 67-vjeçar u identifikua nga autoritetet pas incidentit tronditës që rihapi plagët e masakrës që Las Vegas përjetoi në vitin 2017, një nga më të këqijat në historinë e SHBA.
Sipas “New York Post”, Polito, me profesion profesor, kishte aplikuar për të punuar në Universitetin e Las Vegasit përpara se të fillonte sulmin e tij të përgjakshëm. Por kërkesa e tij u refuzua.
Polito, i cili studioi Matematikë, Statistikë dhe Filozofi, kishte punuar si profesor ndihmës për 15.5 vjet në Universitetin e Karolinës Lindore.
“Dhurata më e madhe që kam marrë gjatë shumë viteve të punës në arsimin e lartë është reagimi i mirë dhe pozitiv nga studentët në lidhje me qëndrimin tim ndaj tyre si profesor”, thuhet në profilin e LinkedIn të Polito.
Sulmi i 67-vjeçarit filloi në ndërtesën Beam Hall të Universitetit të Nevadës, ku ndodhet Shkolla e Administrimit të Biznesit, rreth orës 11:45.
Policia thuajse menjëherë urdhëroi të gjithë të largoheshin nga kampusi, rreth dy kilometra nga vendi i famshëm, arteria ku funksionojnë disa kazino.
Kur policia mbërriti në ndërtesë gjeti tre persona të vdekur. Një tjetër person është dërguar me plagë të rënda në spital dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Pasi policia mbylli sulmin, kancelaria u kërkoi të gjithëve të qëndronin “të mbyllur” në mënyrë që njerëzit e saj të mund të pastronin ndërtesat “një nga një”, ndërsa anuloi të gjitha klasat e planifikuara dhe aktivitetet e tjera.
“Kjo e ka errësuar kampusin” dhe “tani ne duhet të përpiqemi të luftojmë dhe ta kapërcejmë këtë dhe është thjesht e trishtueshme,” tha një student, sipas një raporti nga stacioni televiziv lokal KSNV./Liberale.al