Sot pritet të mblidhet konferenca e kryetarëve në kryesinë e Kuvendit. Bëhet e ditur se në rendin e ditës janë shqyrtimi i draftprogramit dhe draftkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 27 nëntor-22 dhjetor.
Ndërkohë në draftkalendarin e punimeve për këtë periudhë është edhe marrëveshja e firmosur mes Italisë dhe Shqipërisë për strehimin e emigrantëve të ardhur nga Afrika.
“Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, i depozituar nga Këshilli i Ministrave në datën 17 nëntor.
Pas shqyrtimit në komisionet parlamentare, votimi në seancë plenare për marrëveshjen me Italinë do të bëhet në 21 dhjetor 2023.
Kujtojmë se më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë, marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Po sipas kësaj marrëveshjeje porti i zbarkimit të emigrantëve do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre.