Gjykata Kushtetuese ka pezulluar zbatimin e ligjit për studentët e Mjekësisë, i cili i ndalonte ata të largoheshin nga Shqipëria, pas zbatuar ato që ishin cilësuar nga qeveria si detyrimet e tyre. Studentët ngarkoheshin të punonin 5 vite pas mbarimit të studimeve, ose në të kundërt iu ngarkohej një tarifë vjetore prej 2300 eurosh. Gjykata ka pranuar kërkesën e një grupi deputetësh duke pezulluar zbatimin e ligjit deri në shqyrtimin në themel të tij.
Studentët e vitit të parë , apo më saktë kandidatët për studentë, përpara regjistrimit, ata që shpallen fitues, përpara regjistrimit në universitet do të nënshkruajnë një marrëveshje me UMT me MAS dhe MSHMS për tu angazhuar që do të qëndrojnë 5 vite për punësim pas diplomimit të tyre në Shqipëri, në institucionet shqiptare shëndetësore dhe diplomën do ta tërheqë pas përmbushjes së këtij detyrimi.
“Ndërkohë që për studentët që janë aktualisht në sistem, nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë, përsëri në fillim të këtij viti akademik do të nënshkruhet një marrëveshje ku angazhohen që do të qëndrojnë përkatësisht: studentët nga viti i dytë deri në vitin e katërt, tre vite, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë, dy vite, punësim në Shqipëri”, sqaronte ministrja e Arsimit.
Pas një takimi me rektorin e Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, i cili deklaroi se do i mbështeste kërkesat e studentëve, këta të fundit pranuan të riktheheshin në auditore.
Gjata pati deklaruar se do t’i mbështeste deri në daljen e vendimit të Gjykatës, dhe se deri në atë kohë, nuk do të kenë kushtet për plotësim kontrate.
Studentët e mjekësisë, për gati një muaj kanë bojkotuar mësimin dhe kanë protestuar kundër projektligjit që i detyron të punojnë 5 vite në vendin tonë, dhe më pas të tërheqin diplomën.