Gazetari Artan Hoxha i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv tregoi se si armiqtë e Ervis Martinajt u bënë bashkë për ta rrëmbyer, vrarë dhe zhdukur kufomën e tij. Gazetari tregon se kush janë kokat e krimit të organizuar në Shqipëri dhe bashkëpunimin me shtetin.
“Ti në Shqipëri mund t’i fshihesh policisë, SHIK-ut, prokurorisë, ama jo kundërshtarit. Dosja e Revanshit dëshmon që ata janë të aftë ta gjejnë njëri-tjetrin edhe në vrimë të miut. Ata i dinë njëri-tjetrit çfarë hanë, çfarë pinë. Durim Bamin tentuan ta vrasin shumë herë. Mesa duket nuk paska qenë e lehtë të shkoje tek ai. Durim Bami është shumë i kujdesshëm. Ka lidhje të forta. Ai ka një areolë tjetër mbrojtëse. Gabimi më i madh që bëri Martinaj ishte që në kulmin e pushtetit të vet nuk e administroi dot dhe shkeli rregullat që ka bota e krimit të organizuar. Ai bëri armiq gjithë ortakët e vet. Ai ka punuar 15 vjet me vëllezërit Duka dhe në fund arriti puna që ata vendosën deri në 10 milionë euro për Ervis Martinajn. Kjo fjalë e përhapur në territor bëri që gjithë vrasësit me pagesë të josheshin. Skuadrat e qitësve, dalin nga qarkullimi tani. Kjo tregon që kur hidhet llokma, hidhen të gjitha hienat për ta kapur. Gjithë vrasësit me pagesë janë joshur, kanë ardhur edhe nga Kosova, Bullgaria.
Natyra e Visit ishte përça dhe sundo. Ai ka bërë të njëjtën gjë edhe në Fushë Kuqe. Sa merrte vesh që një grup po fuqizohej shkonte e godiste. Nëse nuk e godiste dot bënte marrëveshje që ta kishte aleat. Por këto lloj idesh nuk mund të bëhet në këtë vend të vogël.
Ervis Martinaj mund t’i fshihej kujtdo, ama jo atyre që e kërkonin dhe e gjetën. Vis Martinaj u zhduk një vit e gjysmë pasi SKY kishte dalë nga qarkullimi. Por SKY të jep një indicie se kush është aleanca që po krijohet për ta goditur Ervis Martinajn. Ka arritur puna deri aty sa dhe vetë këta ustallarët e krimit të organizuar kuptuan që Vis Martinaj po i kthente kundër njëri-tjetrit. Të gjithë armiqtë e Ervis Martinajt u bënë bashkë për ta zhdukur. Pasi kjo aleancë nxori nga qarkullimi Ervis Martinajn, Shqipëria ra në qetësi. Kjo lloj qetësie vjen nga këta faktorë. Në vitin 2023-shin ka vetëm 34 të vrarë. Aleanca që u krijua nuk do zgjaste pafundësisht. Pasi vranë Martinajn, synuan të marrin bizneset dhe pasuritë e Visit. I morën. Pasi ndanë plaçkat, filluan të godasin njëri-tjetrin.
Unë kur kam dalë për herë të parë pas rrëmbimit, vrasjes dhe zhdukjes së kufomës së Ervis Martinajt kam thënë: Edhe shteti ka qenë i interesuar që ai të zhdukej. Por më shqetëson se përse Sali Berisha nuk flet, sepse e ka mik familjar.” Kur foli Berisha pastaj, ai tha: Ky është zhdukur nga shtetit.
Grupet më të fuqishme në Shqipëri sot janë ata që përdorin edhe lidhjet me shtetin për të goditur kundërshtarët.”, tha ndër të tjera gazetari./m.j