Kush janë 10 të zgjedhurit e Trump për të realizuar premtimet e tij

Duket se idetë e Donald Trump do t’i japin një formë të re Amerikës, por ai nuk mund të veprojë i vetëm. Ai ka zgjedhur një ekip që do të merret me çështje të rëndësishme si emigracioni, kërcënimi i Kinës dhe tkurrjen e qeverisë federale.

Këta janë njerëzit kryesorë të zgjedhur nga Trump për të realizuar politikat e tij më të rëndësishme.

Emigracioni

Kjo çështje ka qenë një nga premtimet më të mëdha të Trump në fushatë, i cili thotë se do të sigurojë kufijtë dhe të dëbojë njerëzit që ndodhen në SHBA, ilegalisht. Ai ka premtuar deportimin më të madh në historinë e SHBA-së, diçka që sondazhet sugjerojnë se ka mbështetje në rritje. Por se si do të ndodhë nuk dihet ende asgjë.

Për këtë çështje janë zgjedhur dy emra.

Kristi Noem si Sekretare për Sigurinë e Atdheut dhe Tom Homan si “cari” i kufijve.

Noem ka qenë kongresmene e më pas guvernatore e Dakotës së Jugut. Ajo ka bërë bujë pasi ka refuzuar urdhrat për vendosjen e maskave dhe kufizimet gjatë pandemisë së Covid. Në mes të pandemisë, ajo bashkë me Trump festuan Ditën e Pavarësisë në memorialin kombëtar Mount Rushmore që ndodhej në shtetin që ishte guvernatorë. Ajo ka qenë shumë kritike me politikat e kufijve gjatë presidencës Biden. Noem refuzoi të pranojë refugjatë afganë dhe ishte e para guvernatorë që dërgoi anëtarë të Gardës Kombëtare të shtetit të saj për të ndihmuar forcat për menaxhimin e kufijve në Teksas. Emërimi i saj duhet të konfirmohet edhe nga senatorët amerikanë.

Ndërsa Tom Homan ka një karrierë të gjatë si oficer i agjencive të kufijve. Ai është ish-polic, i cili ka drejtuar edhe Agjencinë për Emigracionin dhe Doganat. Duket zgjedhje ideale për këto detyra të Trump. Homan ka mbrojtur idenë e ndarjes së fëmijëve nga prindërit ose kujdestarët që e kalojnë kufirin pa dokumentacion. Kjo ka qenë edhe një nga politikat më të kritikuara të Trump gjatë mandatit të tij të parë.

Politika e huaj

Shumë konservatorë amerikanë besojnë se Kina përbën kërcënimin e vetëm të madh për të vazhduar dominimin amerikan si ekonomikisht dhe ushtarakisht. Për këtë arsye Trump e ka mbushur ekipin e tij me kritikë të fortë ndaj Kinës, që mund ta mbështesin presidentin e zgjedhur në pretimin e tij për tarifa të larta ndaj Pekinit.

Për këtë arsye janë zgjedhur Marco Rubio si Sekretar Shteti dhe Michael Waltz si këshilltar për sigurinë kombëtare.

“Kërcënimi që do të përcaktojë këtë shekull është Kina”. Kështu është shprehur Rubio, i cili ka përfaqësuar Floridën si kongresmen prej 2011-ës. Në 2016-ën, Trump dhe Rubio kanë qenë kundërshtarë, për shkak të nominimit për kandidatin presidencial, por më vonë ai mbështeti presidentin e zgjedhur. Vitet e fundit, Rubio e ka mbështetur Trump dhe njihet për pozicionin e tij ndaj Iranit, konfliktit mes Rusisë e Ukrainës dhe Kinës. Në moshën 53 vjeçare duket se Rubio mund ta ketë ende synim Shtëpinë e Bardhë dhe mund të përdorë Departamentin e Shtetit për të rritur profilin e tij.

Ndërsa Waltz është një veteran i forcave speciale. Ai ka përfaqësuar Floridën si kongresmen, njësoj si Rubio. Ai ka folur ashpër për Kinën, duke argumentuar në disa nënkomisione se SHBA-ja duhet të përgatitet për më shumë konflikt në Paqësor. Në vitin 2022, ai ishte një nga anëtarët e parë të Kongresit që kërkoi që SHBA-ja të bojkotonte Lojërat Dimërore në Pekin. Ai ka kritikuar pozitat e administratës aktuale duke përfshirë edhe tërheqjen e trupave nga Afganistani.

Eficenca, njerëzit që do shkurtojnë shpenzimet

Për këtë çështje, Trump ka zgjedhur dy figura të kompanive teknologjike, Elon Musk dhe Vivek Ramaswamy. Ata do të drejtojnë atë që është pagëzuar si Departamenti për Eficencën e Qeverisjes. Kjo vjen si pjesë e premtimeve të Trump për të çmontuar burokracitë.

Musk ka hedhur mundësinë për ndërprerjen e shpenzimeve deri në 2 trilionë Dollarë, duke premtuar “valë tronditje” në qeveri. Ndërsa Ramaswamy ka mbështetur idenë e eliminimit të agjencisë që mbledh taksat, e njohur si IRS dhe Departamentit të Edukimit.

Ndryshime në të gjitha anët

Disa prej nominimeve të Trump synojnë të sfidojnë status quo-në e krijuar. Për këtë arsye është zgjedhur Robert Kennedy Jr si kreu i Departamentit të Shëndetësisë dhe Tulsi Gabbard si drejtoreshë e inteligjencës kombëtare.

Kennedy Jr., edhe pse pa asnjë kualifikim mjekësor, ka kundërshtuar agjencitë federale amerikane sidomos ato që kërkonin aprovimin për vaksinat, diçka që synon ta rishikojë. Fillimisht në 2024-ën, Kennedy kërkoi nominimin për kandidat të Demokratëve dhe më pas doli si i pavarur. Në fund e braktisi fushatën dhe mbështeti Donald Trump.

Gabard nga ana tjetër është një ushtarake veterane që ka shërbyer në një njësi mjekësore në Irak. Ajo ka kundërshtuar politikën e huaj amerikane. Në 2017-ën, teksa ishte kongresmene demokrate ajo takoi ish-Presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad. Pasi Rusia pushtoi Ukrainën ajo fajësoi NATO-n dhe i bëri jehonë një pretendimi të Kremlinit se kishte një laborator të financuar nga SHBA-ja në Ukrainë. Lëvizja e saj nga krahu i majtë në të djathtë për të mbështetur Trump tregojnë shumë për rrugën e saj politike.

Ekonomia

Dy zgjedhjet kyçe për tregtinë dhe axhendën e tarifave që sipas Trump do të mbrojnë punët e amerikanëve, janë Howard Lutnick si Sekretar Tregtie dhe Scott Bessent si Sekretar i Thesarit.

Lutnick është shefi ekzekutiv i firmës Cantor Fitzgerald, një kompani e rindërtuar pasi humbi 658 punonjës në sulmet e 11 Shtatorit. Ai ka qenë një nga dhuruesit më të mëdhenj në fushatën e Trump. Lutnick ka mbështetur planet ekonomike të Trump.

Ndërsa Bessent është financier i vjetër, caktimi i të cilit është parë si i sigurt nga shumë në Wall Street. Ndërsa ai mbështet thirrjet e Trump për tarifa të reja mbi importet, si Lutnick ai ka sugjeruar që Trump i sheh tarifat kryesisht si një mjet negociues dhe jo si një burim të përhershëm të të ardhurave të SHBA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com