Monedhat kryesore të huaja e kanë mbyllur javën në një rënie të madhe në raport me Lekun dhe e kanë nisur muajin Dhjetor, me një panoramë pesimiste për të gjithë ata të cilët paguhen ose kryejnë shkëmbimi tregtare në Euro. Vështirë se do të ketë ndonjë përmirësim të dukshëm, deri në rikthimin e emigrantëve për festat e fund-vitit, kur pritet një ofertë edhe më e madhe e monedhës së huaj në tregun vendas.
Rënien më të madhe gjatë ditës së sotme e pësuar Euro, e cila në pikat e këmbimit valutor u ble në rastin më të mirë me 100.9 Lekë, ndërsa u shit prej tyre me 101.9 Lekë.
Ndërsa sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 101.17 Lekë, duke humbur 0.75 pikë krahasuar me një ditë më parë.
Me rënie e mbylli javën edhe Dollari amerikan i cili në pikat e këmbimit valutor u ble me 92.5 Lekë dhe u shit me 94 Lekë.
Këto janë vlerat më të ulëta të këtyre dy monedhave të huaja në raport me Lekun që prej Korrikut të shkuar.
Zhvlerësimi i Euros po dëmton të gjithë prodhuesit dhe eksportuesit të cilët kanë lidhur kontrata në valutë të huaj, ata të cilët paguhen në euro, si dhe ata që i kanë depozita në euro.
Pak ditë më parë prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve kërkuan nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë të marrë masa për të kompensuar humbjet e eksportuesve pasi dëmet që po ju shkakton nënvlerësimi i euros janë të mëdha.