Ish-ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka reaguar pas krijimit të ministrisë së re, asaj të Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës që solli dhe largimin e saj nga detyra.
E ndërsa shkruan se sot mbyll misionin e saj 5-vjeçar në krye të Ministrisë Kulturës, në një postim në rrjetin social Facebook, Margariti e quan një rrugëtim të jashtëzakonshëm. Duke uruar edhe Blendi Gonxhen, i cili do të drejtojë Ministrinë e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Margariti nënvizon se ndihet krenare për gjithë sa është bërë dhe që do të vijojë nga pasardhësi.
“Sot përmbyll misionin tim 5-vjeçar në krye të Ministrisë Kulturës. Një rrugëtim i jashtëzakonshëm që më rriti si njeri dhe si profesioniste. I jam falenderuese kryeministrit Rama për besimin, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë, stafit të Ministrisë së Kulturës dhe kujtdo që na mbështeti në punën tonë, që e kemi bërë me shumë dashuri! Sot jam e nderuar që i kam shërbyer kulturës këto 5 vite; krenare për gjithë sa bëmë e do të vijohet nga pasardhësi; krenare për imazhin dhe jehonën e bukur që ka sot kultura shqiptare, si kurrë më parë! Suksese Ministrit Gonxhe në sfidën e re në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”, shkruan margariti.
Blendi Gonxhja u betua si Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit kete te marte ne Presidence. Bashkë me të edhe Adea Pirdeni, si Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, ndërkohë që Ervin Mete do të drejtojë vetëm, Ministrinë e Financave, tashmë e shkëputur nga ekonomia./m.j