Një 31-vjeçar në fshatin Kujt në Fan të Mirditës është arrestuar nga policia pasi kultivonte bimë narkotike në zonën pyjore.
Gjatë kontrollit në banesën e Vladimir N, u gjetën dhe sekuestruan 4 kilogramë kanabis e paketuar gati për shitje, një jelek antiplum, fenelina dhe një armë gjahu.
Ndërkaq janë proceduar penalisht gjithashtu penalisht kryeplaku i fshatit dhe specialisti i pyjores, për veprën penale “shpërdorim i detyrës”.
“Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i Pastër”, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Mirditë kanë intensifikuar kontrollet në terren, të bazuara edhe në inteligjencën policore. Si rezultat i këtij operacioni u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe u arrestua në flagrancë shtetasi: – V. N., 31 vjeç, banues në fshatin Kujt, Njësia Administrative Fan, Mirditë, i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Ky shtetas dyshohet se në hapësirën e pyllit në afërsi të fshatit të tij, në një parcelë kishte kultivuar dhjetëra bimë të dyshuara kanabis sativa. Gjatë operacionit, ky shtetas u kap në flagrancë në parcelë duke u kujdesur për bimët narkotike në orët e mbrëmjes. Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesë iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej 4 kilogramësh lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa të cilën ky shtetas e kishte përftuar nga parcela që kishte kultivuar, një armë gjahu, simbole pamore dhe jelek antiplumb si ato të policisë.
Në vijim të operacionit, u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” shtetasit F. Gj., 48 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Fan dhe Sh. M., 57 vjeç, me detyrë specialist i pyjores. Këta shtetas dyshohet se nuk kanë kryer detyrën e tyre funksionale në zonën që mbulojnë. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme,” njofton Policia Lezhë.
/a.r