Kulla që punon me hidrogjen, simboli i kryeqytetit të ri të Egjiptit

Egjipti ka vendosur të ndërtojë një kryeqytet të ri, një qendër administrative të vendosur larg Kajros, ku fantazia e arkitektëve po shfrenohet në një “fushë të bardhë”.

Aty do të jetë edhe shtëpia e Forbes International Tower, një qiellgërvishtës 240 metra të lartë, i cili do të ndërtohet me qëllim mbrojtjen e mjedisit. Projektuar nga Adrian Smith dhe Gordon Gill Architecture, ndërtesa synon të arrijë emetime zero të karbonit duke përdorur burime inovative të energjisë si hidrogjeni dhe energjia diellore. Struktura do të mbështetet për të siguruar energjinë në 75% hidrogjen të pastër dhe 25% energji diellore, duke eliminuar nevojën për rrjetin tradicional të energjisë elektrike, shkruan CNN.

Për të minimizuar ndikimin mjedisor, zhvilluesi Magnom Properties planifikon të përdorë materiale me përmbajtje të ulët karboni gjatë ndërtimit, duke ulur ndotjen me 58%. Në këtë ndërtesë gjithashtu do të riciklohet dhe përpunohet edhe uji, diçka jetike duke parë se godina do të ngrihet në mes të shkretëtirës. Përmes këtyre metodave, Magnom synon të eliminojë emetimet e gazrave të dëmshme dhe shpreson të regjistrojë ndërtesën si qiellgërvishtësi i parë në botë që do të marrë Certifikatën “Zero Carbon” nga Instituti Ndërkombëtar për një të Ardhme të Qëndrueshme.

Edhe më herët janë bërë përpjekje të tjera arkitekturore për emetime zero, si kulla Z6 e Foster&Partners në Pekin dhe Curzon Wharf në Birmingham. Megjithatë, përdorimi i hidrogjenit si burim energjie në Forbes International Tower është diçka e re në arkitekturë. Hidrogjeni shihet si një burim premtues i energjisë së pastër, megjithëse sfidat qëndrojnë në shkallëzimin e prodhimit të tij.

Magnom ka nënshkruar një marrëveshje me Schneider Electric dhe H2 Enterprises për të eksploruar përdorimin e teknologjisë LOHC (bartësit organikë të lëngshëm të hidrogjenit) për ruajtjen dhe transportimin e hidrogjenit, megjithëse përdorimi i tij përfundimtar është ende duke u vlerësuar.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com