Nga Leart Kola
Diku nga viti 2008 ose 2009, kur punoja akoma për Lëvizjen, bashkë me një grup organizatash shqiptare në Ballkan, themeluam Rrjetin e Organizatave Shqiptare (RROSH). Përveç MJAFT-it, organizatat më të njohura ishin Vetëvendosja dhe Zgjohu, që drejtoheshin përkatësisht nga Albin Kurti, sot Kryeministër i Kosovës, dhe Zgjohu nga Artan Grubi, sot Zv. Kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kësaj nisme i ishin bashkuar pa fund organizata shqiptare nga Presheva e Mali i Zi. Për kohën dhe mundësitë ekonomike që këto organizata kishin, ishte një iniciativë serioze, e cila jetoi për një kohë jo të shkurtër dhe bëri shumë aktivitete në vetëdijesimin politik të shqiptarëve kudo që jetonin në Ballkan.
Dua të tregoj një histori interesante që tregon pak edhe kontekstin. Albin Kurti në atë kohë ishte shpallur ‘non grata’ nga qeveria e Maqedonisë, e konsideronin të rrezikshëm. Ishte koha kur të kaloje në Maqedoni për shqiptarët ishte një keqtrajtim epik (sot duket e pabesueshme, por në ato vite mund të rrije me orë të tëra në Bllacë apo Qafë-Thanë nën kontroll fizik e dokumentash). Kur mbledhjet e rrjetit duhej të bëheshin në Shkup, gjë që ndodhte jo rrallë, Albini duhej të kalonte gjysmë-ilegalisht në Maqedoni. Një herë e shoqërova me makinë deri në kufi. Ai kaloi me këmbë nga mali dhe nga ana tjetër e priste Artan Grubi. M’u kujtua kjo ngjarje sepse dy vjet më parë, kur nga Shkupi do të udhëtoja për në Tetovë, pikërisht në mbikalimin ku ndahen rrugët, policia bllokoi trafikun për të paktën një orë sepse pritej të kalonte Albini Kurti, kësaj here me eskortë në rolin e Kryeministrit të Kosovës. Ndjeva njëfarë krenarie dhe suksesi i tij ishte në një mënyrë suksesi i të gjithë aktivistëve të angazhuar në ato kohë të vështira. Kohët ishin realisht të vështira dhe Albini ishte realisht në rrezik, ndryshe nga kjo hera e fundit që teatroi një atentat qesharak.
Edhe pse vite të vështira, ndjehej një lloj shprese që gjërat do të mund të bëheshin më mirë, dhe në fakt, siç do mundohem të argumentoj në këtë shkrim, eventualisht u bënë më mirë. Shpesh herë dhe me protagonistë disa prej personazheve të sipërpërmendur. Por a jemi sot në fillimin e fundit të kësaj shprese që u mbajt gjallë për gjithë këto vite?
Vetëm para 3 vjetësh kishim Kryeministrin Dritan Abazoviç në Mal të Zi, me një qeveri që dukej sikur po ecte me shpejtësi drejt Bashkimit Evropian.
Në Shqipëri, pas shumë turbulencave të mosmarrjes pjesë në zgjedhjet lokale nga opozita, u arrit pas vetëm dy vitesh të organizohej një proces model elektoral që, edhe pse e pa PS prapë fituese, dukej sikur në fund vendi do të kishte një opozitë serioze.
Në Kosovë Levizja Vetëvendosje realizoj një sukses politik të pamatshëm, një ish-OJF të marrë mbi 50% të votës popullore ishte një thyerje e të gjitha rregullave të matematikës zgjedhore në atë vend.
Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët dolën shumë më të fortë nga një proces që ishte krijuar për t’i dobësuar. BDI jo vetëm mori pjesën më të rëndësishme të posteve ministrore, por arriti që nëpërmjet një debati të gjatë me LSDM të përfshinin në negociata dhe vendosjen e një kryeministri shqiptar në 100 ditët e fundit, duke sjellë një relaksim etnik të pajetuar më parë në ato treva, e cila u konkretizua me një investim infrastrukturor 2 miliardë euro, kryesisht në zonën e banuar nga shqiptarët. Një sukses konkret që zhvillon atë që dukej si Rrip i Gazës në Ballkan. Gjërat ishin duke shkuar mirë…
Parantezë
“Që punët nuk do na shkonin mirë u dallua që kur Albin Kurti, akoma pa hyrë në zyrën e tij të kryeministrit të Kosovës, vendosi nëpërmjet një gjesti donkishotesk të konkurronte për zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, nëpërmjet një liste kandidatësh megallomanë të cilët në fakt morën më pak se çdo subjekt tjetër, duke thyer rekord negativ në historinë moderne politike shqiptare… E megjithatë shija e përçarjes mbeti tek të dy shtetet e për fat të keq vazhdon akoma edhe sot. Ditët e mira përfunduan pa filluar mirë, si pasojë e egos dhe praktikës politike shqiptare tashmë shekullore, që mjafton mos të ketë ai tjetri, pa mos të kem as unë.
Pra, ku jemi sot?
Në Mal të Zi, kohët e bukura kur një shqiptar bëhej kryeministër duket se janë harruar. Sot është një vend në kufi të shpërthimit të konfliktit etnik. Fitorja e partive serbe, përfshirja 100% e politikës zyrtare serbe në Malin e Zi, e bën shtetin me popullsi të vogël të shohë me frikë nga e ardhmja. Nuk ka më fjalë për integrim të shpejtë, por vetëm për një shpërthim të shpejtë të konfliktit etnik, ku shqiptarët si minorancë duket se në një rritje konflikti dhe autokraci do të jenë të parët që do të dëmtohen. Vetëm një mrekulli do t’i jepte stabilitet politik në të ardhmen e afërt. Fitili është ndezur, pritet vetëm që flaka të takojë fuçinë e barutit.
Në Shqipëri, shpallja ‘non grata’ e Sali Berishës e shkatërron konstruktivitetin e ditëve të para të opozitës, duke e kthyer në një batalion qesharak që lufton për interesat e një njeriu, duke e bërë inekzistente debatin parlamentar, tkurrur numrat e opozitës në nivel historik dhe radikalizimit edhe fizik të një grupi përherë e më të vogël të deputetëve, dhe për pasojë mohimit të një alternative qeverisëse për vendin. Në thelb, kjo ka demtuar edhe Partinë Socialiste në pushtet, si në menaxhimin e përditshëm administrativ ashtu edhe në imagjinatën kolektive të krijimit të strategjisë politike. Duke e zhvendosur atë debat që duhet të ndodhë në politikë, në kronikën e zezë, ku opozita është zëvendësuar nga Prokuroria Speciale dhe populli në sehirxhi pasiv konsumator i fatkeqësive që bien mbi nënpunësin e radhës, duke prodhuar kështu një apati shumë të dëmshme afatgjatë, ku një palë nuk fiton kurrë dhe pala tjetër fiton pa e ditur se përse!
Kosovës, pasi i kaloi ‘hangover’-i i zgjedhjes së leadershipit të ri, zbulon në zgjim se gjendet në një situatë kritike ekonomike, performance administrative inekzistente, ku askush nuk punon nga frika se mos bën ndonjë gabim dhe për pasojë projektet e parealizuara arrijnë në shifra qindra miliona euro euro, duke thelluar diferencën sociale atë që premtojnë se do të korrigjojnë. Mungesën e kurajos për të ndryshuar ekonominë e zëvendësuan me kurajon e çartur për të filluar një luftë jo aq të ftohtë diplomatike me Perëndimin.
Konflikti i hapur me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, ku i pari nuk i kursen kritikat dhe i dyti ka arritur të vendosë sanksione ekonomike, si të ishte Kosova jo një produkt i punës së Perëndimit, por Republika Islamike e Iranit, ka sjellë një impotencë evidente në përfaqësimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, i cili edhe pa të, gjendet sot për paafërsinë tonë për të parashikuar ngjarjet në pozitën e të akuzuarit në tribunalin e Hagës, ku gabimisht mendohet se po gjykohen disa komandantë, kur në fakt aty po gjykohet vetë legjitimiteti i ekzistencës së shtetit të Kosovës. Gjykim ky që ka indiferencën e plotë të qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit të saj, në shkurtpamësinë e të cilit ky gjyq shihet si një formë për të eliminuar kundërshtarët e menjëhershëm politik. Çfarë fatkeqësie! Dhe çfarë fatmirësie për Aleksandar Vuçiç, që po e shijon këtë vëmendje ndërkombëtare në sytë e të cilit duket si një politikan konstruktiv. Edhe kur vendoset në cep të ringut si në rastin e Banjskës, kujdeset Albini ta shpëtojë duke shpikur një krizë nga hici, si rasti i fundit i dinarit për shembull. Më shumë se amatorizëm, politika e Kosovës duket si sado-mazohizëm. E sikur të mos mjaftonin të gjitha këto probleme, VV vendosë të kandidojë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut… Çfarë gjenialiteti, sigurisht me një Don Kishot të ngjashëm me kandidatët që kishte në Shqipëri, duke armiqësuar kështu jo vetëm partinë aleate në Internacionalen Socialiste, LSDM, por edhe duke çuar ujë në mullirin e VMRO. E mbi të gjitha duke përçarë shqiptarët që duket se do të zhyten në irrelevancë pas zgjedhjeve të 8 Majit.
Edhe një mundësi që forcat progresiste e kishin për të pasur një garanci kushtetuese nëpërmjet zgjedhjes së një presidenti progresist, siç është kandidati i LSDM Stevo Pendarovski, një nga presidentët më pro-shqiptarë të historisë së këtij shteti, u siguruan vetë shqiptarët që kjo mos të ndodhte, duke nxjerrë me frymëzimin e Albin Kurtit Kryetarin e Komunës së Gostivarit si kandidat nga opozita shqiptare. Për pasojë, detyruan BDI që të nxirrte një kandidat të vetin, duke zeruar mundësitë e Pendarovskit për t’u zgjedhur president dhe ndihmuar kështu një kandidate të djathtë e cila do të jetë në unison me qeverisjen e ardhshme anti-shqiptare.
Historia është e pamëshirshme në gjykim, e koha do të tregojë se ata që sot e mbajnë veten për patriotë të mëdhenj mund të dalin nesër tradhtarët më të shquar. Ata që sot bëjnë sikur po luftojnë dhëmbë për dhëmbë me armikun, dalin nesër që ishin aleatët më të mëdhenj të tij. Këtë ne sot nuk mund ta dimë, koha do ta gjykojë e do të na gjykojë të gjithëve, por dicka e dimë, sepse është fakt, që sot jemi më keq se dje, dhe nesër sipas gjithë gjasave do jemi më keq se sot. Sepse nuk dimë të ngrihemi mbi nivelin personal të egos për të mirën e përbashkët. Jemi gati të djegim gjithë dyshekun për një plesht, ndërkohë që armiqtë e idesë së barazisë dhe bashkëjetesës mes kombeve në Ballkan ngrohin duart në të.
Ajo që u duk si një epokë e artë e ndryshimeve në Ballkan për shqiptarët, për fat të keq, na del që ishte fryma e fundit e një trupi që nuk arriti dot të bëhet një trup politik, por mbeti gjithmonë një trup biologjik.