Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimet për katër të miturit të cilët vranë me thikë në zemër bashkëmoshtarin e tyre, Fatjon Bici.
Këtë të enjte Apeli la në fuqi dënimin me 46 vite burg për katër të miturit e dhënë nga Gjykata e Elbsanit më 29 prill 2024.
Orgito Çarçiu dhe Ergi Karaj prej një jave kishin dalë nga qelia me një masë më të butë sigurie, por me vendimin e marrë këtë të mërkurë ata do të rikthehen në qeli.
I pranishëm në seancën e kësaj të enjte ishte dhe babai i Fatjon Bicit. Ai u shpreh i pakënaqur për këtë vendim, duke kërkuar drejtësi ose në të kundërt do e vendosë vetë atë.
“Të merren masa ose do bëj vrasje, nuk jam dakord me vendimin. Krimineli është liruar dhe e bën gjumin në shtëpi. Më vrapë për së dyti, nuk duroj dot më. Kam heshtur por më shkelën me këmbë, nuk ka drejtësi”, tha ai.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 16 maj 2023, në Grmash. Konflikti që u bë shkak për krimin kishte nisur disa ditë para ngjarjes, pasi të rinjtë kishin shkëmbyer sharje në rrjetet sociale.
Debati mes tyre përshkallëzoi mesditën e 16 majit, kur 4 adoleshentët sulmuan me thikë dhe doreza 15-vjeçarin Marko Liçi, ndërsa viktima Fatjon Bici, i cili ishte dhe kushëriri i adoleshentit u fut për t’i ndarë, mirëpo fatkeqësisht rezultoi fatale për të. Fatjon Bici u qëllua me thikë në zemër dhe si pasojë gjeti vdekjen.
Shkolla 9 vjeçare “Asllan Shahini”, aty ku dhe adoleshentët studionin asoj kohe tha se Fatjoni ndodhej rastësisht aty dhe se u përpoq që të ndante bashkëmoshtarët që po konfliktheshin. Ai nuk ishte pjesë e sherrit që kishte nisur para disa kohësh në rrjete sociale, por ishte kushëriri i tij.
Sherri nuk kishte një motiv të qartë, por adoleshentët ishin grindur në një park lojërash e më tej i tregonin forcën njeri-tjetrit ne rrjetet sociale. Konflikti që zhvillohej prej dy muajsh nuk u parandalua nga mësuesit as prindërit derisa përfundoi në tragjedi.
/a.r