Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit çek në Kuvendin e Shqipërisë: Mbështesim rrugën tuaj drejt BE!

Kryetarja e Dhomës së Ulët të Parlamentit të Republikës Çeke, Markéta Pekarová Adamová, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë iu drejtua drejtua të hënën me një mesazh përshëndetës deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Në fjalën e saj, Adamova garantoi se Shqipëria ka mbështetjen e plotë dhe të vendosur të Çekisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Republika Çeke është një mbështetëse e vazhdueshme dhe e sinqertë e integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Ne mbrojmë dhe avokatojmë për përparimin e shpejtë në rrugën e anëtarësimit në BE”, deklaroi Adamova.

Më tej, Adamova përgëzoi Shqipërinë për vendosjen e një afati kohor ambicioz për veten.

“Ne kemi besim se aftësitë e kombit do të shfrytëzohen plotësisht për të arritur objektivin për anëtarësim deri në vitin 2030. Megjithatë kjo vendosmëri duhet të tregohet nga të gjitha segmentet në peizazhin politik shqiptar, veçanërisht nga pala qeverisëse dhe opozita parlamentare. Respekti për pavarësinë politike, prokurorinë dhe gjyqësorin dhe puna e tyre e paanshme janë gjithashtu pjesë e gatishmërisë“, deklaroi Adamova.

“Shqipëria nuk është vetëm një vend mik dhe aleat, por është gjithashtu një demokraci e gjallë, me një ekonomi në rritje të shpejtë dhe një ofrues i rëndësishëm sigurie për Ballkanin Perëndimor. Ne e njohim rëndësinë e mbajtjes së dialogut të rregullt dhe kuptimplotë dypalësh”, tha ajo.

Adamova u ndal dhe në bashkëpunimin ekonomik dypalësh ku theksoi se edhe pse shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë në nivel të kënaqshëm ka hapësirë për më tepër bashkëpunim.

“Lajmi i mirë është se për sa i përket tregtisë, kemi shumë për të qenë krenarë. Tregtia jonë dypalëshe është e krahasueshme, por edhe e tejkalon atë të partnerëve europianë”, tha ajo.

Adamova vlerësoi se Shqipëria po zhvillohet vitet e fundit në aspektin turistik dhe se më shumë se 100 mijë qytetarë çekë vizitojnë në një vit Shqipërinë.

Megjithatë, shtoi ajo, kemi ende hapësirë për përmirësime veçanërisht në fushën e investimeve.

“Një mjedis i qëndrueshëm politik dhe ekonomik, sundimi i ligjit dhe një sistem drejtësie që funksionon mirë janë të favorshme si për tregtinë dhe për investimet”, deklaroi Adamova.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com