Kryeministrja e Danimarkës e tronditur pas sulmit: U kalua vija e kuqe!

Për herë të parë që nga sulmi i javës së kaluar kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen ka deklaruar se ende është duke u rikuperuar fizikisht dhe mendërisht.

“Epo, kjo ishte një vijë e kuqe që u kalua. Unë jam e tronditur edhe tani pas sulmit. Kanë ndodhur shumë raste në vitet e fundit dhe ka edhe disa gjëra të pakëndshme që janë shtuar ndoshta sidomos pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit me shumë raste kërcënimesh me vdekje dhe sulme të ngjashme. Nuk e lejova veten të reagoja.”

Një polak 39-vjeçar u mbajt në paraburgim për sulmin. Ai ishte nën ndikimin e alkoolit dhe drogës në atë moment dhe sulmi sipas autoriteteve nuk ndodhi për motiv politik.

“Të premten e kaluar ishte Mette që u godit. Ishte kufiri im fizik që u kalua dhe sot nuk jam vetvetja. Sigurisht që jam e lumtur që nuk ka asnjë tregues që ishte planifikuar ose se ka një motiv të drejtpërdrejtë politik, por ishte një kryeministre në detyrë ajo që u sulmua dhe ju nuk duhet të përbuzni dhunën në të gjitha format e saj. Kjo është ajo që kemi të përbashkët, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo kryeministri aktual, kjo është demokracia jonë dhe askush nuk duhet të lejohet ta sulmojë këtë.”

Sulmi ndodhi vetëm tre javë pasi kryeministri i Sllovakisë Robert Fico u plagos rëndë në një atentat prej të cilit ende s’është rikuperuar. Frederiksen ishte duke marrë pjesë në një ngjarje për zgjedhjet për Parlament Evropian së bashku me një kandidate social-demokrate. Sulmi ndaj saj u dënua nga kryetarja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com