Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, i propozoi Kuvendit të këtij vendi një përbërje të rikonstruktuar të Qeverisë, e cila nëse votohet, do të përfshijë partitë e Frontit Demokratik prorus (DF) dhe Partinë Boshnjake (BS).
Duke iu adresuar deputetëve, Spajiq tha se Mal i Zi sot është më i bashkuar se kurrë.
“Kjo qeveri është garantuese e stabilitetit dhe pjekurisë. Ne jemi tregues se si serbët dhe shqiptarët, serbët dhe boshnjakët mund të jetojnë dhe punojnë së bashku”, tha Spajiq.
Me propozim të tij, DF-ja do t’i merrte dy poste zëvendëskryeministrash dhe tre ministra.
Ky është riformatizimi i parë i Qeverisë së Spajiqit, e cila u formua në fund të tetorit të vitit të kaluar me votat e 46 deputetëve nga 81 sa janë gjithsej.
Qeverinë, atëkohë, e mbështetën 13 deputetë të partive të DF-së, që u shpërbë së voni – përkatësisht Demokracia e Re Serbe e Andrija Mandiqit dhe Partia Popullore Demokratike e Millan Knezheviqit – me kushtin që t’i bashkohen Qeverisë këtë vit.
Politika e këtyre partive është në kundërshtim me politikën zyrtare të Malit të Zi, i cili është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Këto parti mbështesin heqjen e sanksioneve kundër Rusisë – të vendosura për shkak të agresionit të saj në Ukrainë – nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundërshtare të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, mbështesin kriminelët e dënuar të luftës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, etj.
Përveçse mbështesin presidentin rus, Vladimir Putin, udhëheqësit e këtyre partive kanë marrëdhënie të ngushta politike edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik.
SHBA-ja, në disa raste, ka shprehur shqetësim për përfshirjen në pushtet të partive që kundërshtojnë vlerat euroatlantike.
Shqetësime të ngjashme kanë shprehur edhe institucionet evropiane.
Megjithatë, Kuvendi i Malit të Zi ka zgjedhur Andrija Mandiqin për kryetar në fund të tetorit të vitit 2023. Ai është mbështetur edhe nga përfaqësuesit e Lëvizjes së Spajiqit Evropa Tani./REL